Tjetër bazë armësh, Policia zbulon snajperë, paruke dhe kallëpe tritoli te Liqeni i Thatë

Përditësuar më: 21/6/2022, ora 16:11

Tjetër bazë armësh, Policia zbulon snajperë, paruke dhe kallëpe tritoli te Liqeni i Thatë

Përditësuar më: 21/6/2022, ora 16:11

Pak ditë pas arrestimit të dy personave në zonën e Yzberishtit dhe sekuestrimit të një depoje armësh që shërbente për furnizimin e grupeve kriminale, Policia e Tiranës goditi një tjetër bazë.

Në pranga ra Eno Papa pasi në një tjetër ambient të marrë me qira në rrugën Peti në zonën e Liqenit të Thatë, Policia gjeti 2 snajperë, 4 kallashnikovë, pistoleta me silenciator, kallëpe tritoli, paruke si dhe mjete për fshehjen e targave.

27-vjeçari Papa, i njohur dhe me mbiemrin Beqiri, sipas Policisë kishte marrë me qira një garazh në rrugën Peti ndërsa të gjitha armët dhe sendet e tjera ishin fshehur aty.

Armët dhe sendet e sekuestruara

2 snajperë

4 kallashnikovë

2 armë zjarri automatike

4 pistoleta me silenciator

85 pako me municion

3 kallëpe tritoli

2 portotarga elektrike

5 paruke

Shënjestra optike

Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së 27-vjeçarit, Policia gjeti dhe një pasaportë të falsifikuar.

Një javë më parë blutë gjetën një tjetër bazë armatimi në zonën e Yzberishtit ndërsa në pranga ra dhe një tornitor, i cili bënte prodhimin e silenciatorëve për armët, por edhe modifikimin e tyre. Sipas Policisë, shumica e armatimeve shkonin për grupet kriminale ndërsa armët janë dërguar në laboratorin shkencor për të mësuar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale.