Bullgaria drejt heqjes së vetos, opozita pranon propozimin francez për mosmarrëveshjen me Shkupin

Publikuar më: 22/6/2022, ora 11:49
MB MAQEDONIA DEBATI frame 0 1280x720

Bullgaria drejt heqjes së vetos, opozita pranon propozimin francez për mosmarrëveshjen me Shkupin

Publikuar më: 22/6/2022, ora 11:49

Bullgaria bën një hap të rëndësishëm drej heqjes së vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, që po mban peng edhe Shqipërinë në procesin e integrimit.

Lideri i opozitës, Boiko Borisov, i cili deri më tani refuzonte lëshimet ndaj Shkupit, ka shprehur mbështetjen lidhur me propozimin francez për t’i hapur rrugën çeljes së negociatave për Shqipwrinw dhe Maqedoninw e Veriut.

Ai i ka kërkuar kryeministrit të sjellë propozimin, që, siç tha, do të përkrahet nga 59 deputetët e partisë së tij.  

“Unë besoj tek Macron dhe Komisioni Europian, deri më tani gjithçka e mirë që ka ndodhur është falë BE-së”, tha Borisov.

Sinjali pozitiv që mbërriti nga Shkupi pikërisht një ditë para se liderët e Ballkanit Perëndimor të takohen në Bruksel me krerët e bllokut, u konfirmua edhe nga Komsioneri për Zgjerimin, Oliver Varheli: “Falenderoj liderin e opozitës Boiko Borisov, për marrjen e këtij vendimi historik për Europën dhe për pranimin e propozimit francez, që i hap rrugën çeljes së negociatave me Maqedoninë e Veriut. Ne presim që qeveria të bëjë propozimet përkatëse sot në Parlament, në mënyrë që Europa të ecë përpara”.

Qeveria e Bullgarisë përballet sot me një mocion mosbesimi. Shkak për këtë lëkundje të koalicionit, i cili u formua 6 muaj më parë me zotimin se do të luftojë korrupsionin endemik, u bë kontesti me Maqedoninë e Veriut.

Mocioni i mosbesimit u ngrit nga njëra prej partive përbërëse të koalicionit qeverisës, që kundërshton linjën e butë të Petkovit ndaj Shkupit lidhur me lejimin e negociatave të anëtarësimit me BE-në pa zgjidhur mosmarrëveshjet.

Një ditë më parë, Tirana, Beogradi dhe Shkupi bënë presion me bojkot ndaj samitit të Ballkanit Perëndimor, që është parashikuar më 23 qershor, në Bruksel. Duke pretenduar një refuzim tjetër nga Brukseli, kreu i qeverisë shqiptare pyet në një postim në Twitter se çfarë duhet bërë atje?  

“Ne diskutuam gjatë sot me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për Samitin e ardhshëm të BE-së. Duket se një tjetër “Jo, më fal!” do të jetë ajo që do të dëgjojmë në fund! I gjithë Unioni i rrëmbyer nga Bullgaria nuk është një spektakël i mirë për t’u parë! Çfarë duhet bërë atje?!”, shkruante Rama në Twitter.

Serbia ka nisur disa nga kapitujt e bisedimeve, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë realizuar ende konferencën e parë ndërqeveritare, që nis zyrtarisht negociatat për anëtarësim.

Rama ka deklaruar disa herë në ditët e fundit që nuk pret të marrë dritën jeshile për këtë, as në samitin e radhës, për shkak të vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut. Kryeministri gjithashtu ka deklaruar se do të kërkojë ndarje nga shteti fqinj nëse kjo ndodh. Tre shtetet janë edhe nismëtare të Ballkanit të Hapur, një bashkim mes vendeve të rajonit për të garantuar lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit.