Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Shqipëria, ndër vendet më të rrezikuara nga ndryshimet klimatike

Nga A2 CNN
22 Qershor 2022, 18:06 | Aktualitet

Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, Universiteti Politeknik i Tiranës, së bashku me Helvetas dhe Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, organizuan ditën e djeshme seminarin dedikuar Ndryshimeve Klimatike, me të ftuar kryesore Rupa Mukerji, eksperte ndërkombëtare dhe bashkautore e raportit të gjashtë të Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC).

Ky seminar ishte një hapësirë diskutimesh me aktorë të ndryshëm, nga sektori privat, academia dhe përfaqësues nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, si edhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.  Ndërlidhja dhe bërja bashkë e këtyre aktorëve përmes këtij seminari synon të nxisë diskutimin publik dhe ndërgjegjësimin lidhur me temën, duke u bazuar në raportin e IPCC.

Rupa Mukerji, bashkë-autore e studimit tregon se Shqipëria është një ndër vendet më të rrezikuara nga ngrohja globale, por u ndal dhe në mundësitë që ka Shqipëria dhe sektori privat nëse ndërmarrin hapat e duhura.

“Shqipëria është një ndër vendet më të rrezikuara krahasuar me vende të tjera në Europë. Ka rreziqe si tërheqja e detit, dalja e lumenjve nga shtrati dhe rritje të temperaturave. Të gjitha këto kanë ndikim të madh në mjedis. Shqipëria duhet të punojë me përmirësimin e shërbimeve të agroturizmit, të menaxhimit të mbetjeve. Duhet të jepen informacione të shpejta dhe të vazhdueshme te fermerët, tek punonjës të sektorit të turizmit, pasi kjo është një mundësi e mirë edhe për tu zhvilluar”, tha Mukerji.

Gjatë seminarit u prezantuan studime nga akademia, si dhe veprimet dhe masat e ndërmarra nga aktorë publikë dhe privatë në menaxhimin e mbetjeve. Por pavarësisht kësaj, niveli i ndërgjegjësimit mbetet i ulët. Kjo për shkak edhe se kompleksiteti i temës është i lartë. Bazuar në raportin e gjashtë të Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) diskutimi u fokusua më tej dhe në mënyrat se si gjetjet kryesore mund të çojnë në më shumë ndërgjegjësim, të nxisin veprime, por edhe se si shkenca klimatike mund të trajtojë më tej punën dhe politikat për klimën dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani