Shteti i parë në Australi ndalon me ligj shfaqjen e simbolit nazist

Përditësuar më: 22/6/2022, ora 10:02
victoria 1280x720

Shteti i parë në Australi ndalon me ligj shfaqjen e simbolit nazist

Përditësuar më: 22/6/2022, ora 10:02

Victoria është bërë shteti i parë i Australisë që ndalon në mënyrë specifike shfaqjen e simbolit nazist. Sipas një ligji të ri, njerëzit që ekspozojnë qëllimisht simbolin përballen me një vit burg, ose një gjobë prej 22 000 dollarësh australianë.

Kryeministri i Viktorias, Dan Andrews, tha se “askush nuk ka të drejtë të përhapë racizëm, urrejtje ose antisemitizëm”.

Ashtu si shumë vende në mbarë botën, Australia ka parë një rritje të mprehtë të incidenteve antisemitike kohët e fundit.

Victoria tashmë ka ligje kundër gjuhës së urrejtjes, por ato janë kritikuar për “boshllëqe”.

“Simboli nazist lavdëron një nga ideologjitë më të urryera në histori, shfaqja e tij publike nuk bën gjë tjetër veçse shkakton dhimbje dhe ndarje të mëtejshme,” tha në një deklaratë Prokurorja e Përgjithshme e Viktorias, Jaclyn Symes.

Një shtytje për reforma u intensifikua në vitin 2020 kur një çift ngriti një flamur me simbolin nazist mbi shtëpinë e tyre, duke zemëruar komunitetin lokal.

Zyrtarët shtetërorë e quajtën legjislacionin e ri një “moment krenarie”. Tri shtete të tjera kanë thënë se do të prezantojnë ligje të ngjashme.

Ka përjashtime për shfaqjen e simbolit në kontekste historike, arsimore dhe artistike. Mund të përdoret gjithashtu në kontekstet fetare hindu, budiste dhe xhainiste, siç ka qenë për mijëvjeçarë.

Numri i incidenteve antisemite në mbarë botën u rrit në mënyrë dramatike vitin e kaluar, sipas një studimi nga Universiteti i Tel Avivit. Australia kishte 88 vetëm në një muaj – një rekord kombëtar.

Në vitin 2020, shefi i inteligjencës së Australisë paralajmëroi për një “kërcënim real” për sigurinë e vendit nga neo-nazistët. Ai tha se “celula të vogla” të ekstremistëve të krahut të djathtë po mblidheshin rregullisht për të përshëndetur flamujt nazistë dhe për të ndarë ideologjinë e tyre.

Që nga fillimi i pandemisë, sindikatat dhe të tjerët kanë akuzuar gjithashtu grupet e ekstremit të djathtë për “infiltrim” të protestave të mëdha rreth bllokimeve dhe kufizimeve të tjera.

Ligjet e reja do të hyjnë në fuqi pas gjashtë muajsh.