Tentativë për të zbehur “Satanin”, Rusia: Të shmangim një luftë të mundshme bërthamore

Përditësuar më: 22/6/2022, ora 17:13
kercenimi berthamor 1280x720

Tentativë për të zbehur “Satanin”, Rusia: Të shmangim një luftë të mundshme bërthamore

Përditësuar më: 22/6/2022, ora 17:13

“Shmangia e një lufte bërthamore është prioriteti ynë”. Kështu thotë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.

Fjalë që tingëllojnë si një përpjekje për të zbehur kërcënimin atomik drejtuar botës, gjatë fjalimit të presidentit Vladimir Putin para diplomatëve të rinj dhe Akademisë Ushtarake të vendit.

Në atë takim, shefi i Kremlinit tha se raketa ndërkontinentale Sarmat, e njohur dhe si “Satan 2” do të jetë gati për t’u përdorur deri në fund të vitit. Arma ruse ka aftësinë që të mbajë dhe kokë bërthamore. Kjo vjen në një kohë kur tensionet mes Moskës dhe Perëndimit janë rritur ndjeshëm nga lufta në Ukrainë, por edhe sanksionet dhe bllokada e Lituanisë për tranzitin e mallrave për në enklavën ruse të Kaliningrad. Lidhur me këtë, Zakharova kërcënoi shtetin e Baltikut se reagimi i Moskës nuk do të jetë diplomatik, por i natyrës praktike. Megjithatë nuk sqaroi se për çfarë bëhet fjalë konkretisht.

“Bashkimi Europian dhe Lituania janë informuar për nevojën për të ndryshuar hapat e ndërmarra. Nëse kjo nuk ndodh, reagimi ynë do të nisë të zbatohet. Ne, sigurisht, do t’iu informojmë se çfarë do të jetë dhe kur ato vendime janë konfirmuar”, tha Maria Zakharova, zëdhënëse e ministrisë së Jashtme të Rusisë.

Reagimi i Lituanisë për këtë kërcënim ishte ky: “Ne jemi gati dhe të përgatitur për ndonjë lloj veprimi armiqësor nga Rusia, të na shkëpusë nga sistemi i përbashkët i energjisë elektrike, apo veprime të tjera. Por nuk besoj se Rusia do t’na sfidojë ne në aspektin ushtarake, pasi ne jemi vend anëtar i NATO-s”, tha Gitanas Nauseda, president i Lituanisë.

Ndërkohë, një tjetër shtet europian ngre alarmin. Ministria e Mbrojtjes e Estonisë, shtet anëtar i BE-së dhe NATO-s, akuzon Rusinë se po simulon sulme raketore ndaj vendit të baltikut gjatë stërvitjeve ushtarake që janë në zhvillim. Gjithashtu, konfirmon se kohët e fundit helikopterë ushtarakë të Rusisë kanë shkelur hapësirën ajrore të vendeve të Baltikut.