Kryeministri bullgar: Veto mund të hiqet, por pas Samitit të BE-së

Përditësuar më: 23/6/2022, ora 13:02

Kryeministri bullgar: Veto mund të hiqet, por pas Samitit të BE-së

Përditësuar më: 23/6/2022, ora 13:02

Negociatat e anëtarësimit të Bashkimit Europian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk do të hapen as këtë herë. Këtë e konfirmoi kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov, i cili tha se gjatë këtij samiti të Unionit nuk ka asnjë shans që Sofja të heqë veton e vendosur ndaj Shkupit. Ndërkohë, kreu i qeverisë së rrëzuar, pohoi pëlqimin e tij për planin francez për zhbllokimin e negociatave.

“Çështja me Maqedoninë e Veriut ishte ‘mjegulla’ që po zbriste në hapësirën publike me të vetmin qëllim për të rrëzuar qeverinë për të vjedhur miliarda. Unë do t’u them të gjithë shtetarëve të BE-së sot – derisa Asambleja Kombëtare të marrë një vendim, qëndrimi i Bullgarisë mbetet ashtu siç është. Unë i kam premtuar popullit bullgar se vendimi duhet të merret nga parlamenti. Më pëlqen propozimi francez. Aktualisht ne kemi një moment historik me këtë propozim për të mbrojtur interesin bullgar për një kohë shumë të gjatë dhe nuk mund të lejojmë që të na ikë”.

Pas rënies së qeverisë së tij një ditë më parë, Petkov thotë se duhet të jetë Parlamenti që ta miratojë heqjen e vetos. Një ditë më parë, lideri i opozitës, Boyko Borisov, tha se do ta mbështeste këtë vendim, por Petkov hodhi akuza ndaj tij, duke thënë se po e shantazhonte sa herë që në bullgari flitej për hetim të korrupsionit të qeverisë së mëparshme, të kryesuar nga Borisov.

Vendimi i Bullgarisë u quajt i turpshëm nga Kryeministri Edi Rama, i cili tha se një shtet i NATO-s po mban peng dy shtete të tjera aleate, në mes të një lufte në Europë. Edhe liderët e tjerë të BE-së kritikuan vendimin e Sofjes dhe madje kanë hedhur idenë e heqjes së të drejtës së vetos, nisur nga sjellja e Bullgarisë.