Miqësia me një neo-nazist, Hinteregger tërhiqet nga futbolli

Përditësuar më: 23/6/2022, ora 16:45
HINTEREGGER EINTRACHT FRANKFURT frame 1285 1280x720

Miqësia me një neo-nazist, Hinteregger tërhiqet nga futbolli

Përditësuar më: 23/6/2022, ora 16:45

Një ndeshje e organizuar në vendlindjen e tij, gjatë periudhës së pushimeve, rezultoi fatale për Martin Hinteregger. Mbrojtësi i cili shkëlqeu gjatë sezonit të kaluar me Eintracht Frankfurt, u tërhoq nga futbolli i luajtur, vetëm dy javë pas skandalit që shpërtheu në media.

Lojtari nga Austria u akuzua se po organizonte një event futbolli me partnerin e tij, Heinrich Sickl, i cili njihet si pjesë e grupimeve neo-naziste. Edhe pse duket e vështirë të besohet, Hinteregger zgjodhi të varte këpucët në gozhdë në moshën 29-vjeçare dhe pak javë pasi triumfoi në Europa League.

Kontrata me Eintracht Frankfurt i përfundonte në vitin 2024, por sportisti njoftoi klubin, rreth vendimit për të mbyllur karrierën dhe kërkoi prishjen e menjëhershme të marrëveshjes. Të ndodhur përballë sulmeve të pamëshirshme mediatike dhe për tu distancuar nga ajo situatë, zyrtarët e skuadrës e pranuan vendimin e Martin Hinteregger.

Edhe pse në njoftimet zyrtare, klubi dhe lojtari flisnin për një vendim të ndikuar nga forma sportive dhe që është shqyrtuar prej sezonit të kaluar, në fakt largimi i Hinteregger nga futbolli profesionist lidhet vetëm me miqësinë e tij me një pjesëtar të grupimeve neo-naziste. Sipas mediave austriake mbrojtësi do të mund të luajë vetëm në nivelet e ulëta të futbollit në Austri.