Shkupi ende nuk e ka pranuar propozimin francez, do garanci për gjuhën

Përditësuar më: 23/6/2022, ora 14:16

Shkupi ende nuk e ka pranuar propozimin francez, do garanci për gjuhën

Përditësuar më: 23/6/2022, ora 14:16

Ndërsa diplomacia europiane po lobon intensivisht për të bindur Bullgarinë t’i japë dritën jeshile propozimit francez, edhe Maqedonia e Veriut ka kushtet e veta për ta pranuar atë. Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka kërkuar garanci për njohjen e gjuhës maqedonase dhe të kaluarën historike.

Përmes një postimi në Facebook, Kovaçevski ka bërë të ditur se qeveria maqedonase ende nuk ka pranuar propozimin e Francës, por që ta mbështesë atë “duhet respektuar dhe njohur gjuha maqedonase në kornizën negociuese dhe mbrojtje e qartë e identitetit maqedonas”.

“Çështjet historike nuk mund të jenë kriter në kuadrin e negociatave. Negociatat mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së duhet të nisin para procedurës për ndryshime kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve, kroatëve dhe malazezëve në Kushtetutë. Çdo zgjidhje do të duhet të konsultohet me institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, ka thënë Kovaçevski.

Reagimi i tij vjen pas kritikave të shumta në opinionin maqedonas se marrëveshja është e dëmshme, por edhe kërcënimit të disa partive të vogla që janë pjesë e qeverisë se do të largohen nga koalicioni qeveritar nëse pranohet propozimi francez.