Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Tërmeti në Afganistan, talebanët bëjnë thirrje për ndihmë ndërkombëtare

Nga A2 CNN
23 Qershor 2022, 07:07 | Bota

Talebanët në Afganistan kanë bërë thirrje për mbështetje ndërkombëtare, pasi vendi po përballet me pasojat e tërmetit shkatërrues me magnitudë 6.1 ballë që goditi vendin dhe që shkaktoi mbi 1 mijë viktima dhe të paktën 1500 të plagosur.

Afganistani është në mes të një krize humanitare dhe ekonomike, dhe Abdul Qahar Balkhi, një zyrtar i lartë i talebanëve, tha se qeveria ishte "e paaftë financiarisht të ndihmojë njerëzit në masën që është e nevojshme".

Agjencitë e ndihmës, vendet fqinje dhe fuqitë botërore po ndihmojnë, tha ai, por “ndihma duhet të rritet në një masë shumë të madhe, sepse ky është një tërmet shkatërrues që nuk është përjetuar në dekada".

Kreu i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, tha se agjencia ishte "mobilizuar plotësisht" për katastrofën. Ekipet shëndetësore, furnizimet mjekësore, ushqimi dhe strehimoret e urgjencës ishin rrugës për në zonën e tërmetit, thanë zyrtarët e OKB-së.

Tërmeti ra një ditë më parë rreth 44 km nga qyteti i Khost dhe lëkundjet u ndjenë deri në Pakistan dhe Indi.

Një numër i panjohur njerëzish janë varrosur në rrënojat e shtëpive të rrënuara, shpesh të ndërtuara nga balta.

Provinca juglindore Paktika është goditur më së shumti dhe OKB-ja po përpiqet të sigurojë strehim emergjent dhe ndihmë ushqimore.

Përpjekjet e shpëtimit po pengohen nga reshjet e dendura të shiut dhe mungesa e burimeve.

Të mbijetuarit dhe grupet e shpëtimit kanë deklaruar për BBC-në se fshatra të tërë dhe rrugë pranë epiqendrës së tërmetit janë shkatërruar plotësisht, si edhe kullat e telefonave celularë, ndërsa ekziston frika se numri i viktimave do të rritet më tej.

Tërmeti më vdekjeprurës që goditi vendin në dy dekada është një sfidë e madhe për talebanët, lëvizjen islamike e cila rifitoi pushtetin vitin e kaluar pas rënies së qeverisë së mbështetur nga perëndimi.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu