Kardiokirurgu në gjykatë, Prifti s’mund të operojë, Apeli la në fuqi pezullimin nga detyra

Përditësuar më: 24/6/2022, ora 16:36

Kardiokirurgu në gjykatë, Prifti s’mund të operojë, Apeli la në fuqi pezullimin nga detyra

Përditësuar më: 24/6/2022, ora 16:36

Kardiokirurgu Edvin Prifti humbi edhe një tjetër betejë me drejtësinë në përpjekjet e tij për tu rikthyer në sallat e operacionit.

Gjykata e Posaçme e Apelit refuzoi ankimin e Priftit kundër vendimit të 28 majit të Shkalës së Parë, që zgjati me tre muaj masën e pezullimit të tij nga detyra. Mjeku u pezullua nga detyra në muajin shkurt, pas një hetimi nga SPAK, ku janë ngritur dyshime se ka marrë ryshfet nga familjarët e një pacienteje, që kishte ndërruar jetë pas operacionit.

Në gjyq kardiokirurgu ka pohuar se kthimi i tij në sallën e operacionit nuk mund të dëmtojë provat e as të rrezikojë largimin, pretendime që janë kundërshtuar nga prokurori i SPAK. Masa e sigurisë në fjalë është e dyta në radhë për Priftin. Fillimisht ai u pezullua nga detyra në shkurt 2021, pas dyshimeve për “korrupsion” dhe “pastrim parash”, hetim ende në vijim.

Gjatë hetimit SPAK ka sekuestruar disa llogari bankare të Priftit, gati 1 mln euro në total. Sipas prokurorisë, mjeku kishte një skemë të mirëfilltë kriminale që konsistonte në paraqitjen e faturave tatimore false me qëllim shmangien nga pagimi i tatimeve. Vetë mjeku në vijimësi ka pretenduar se të ardhurat i ka të justifikuara në burime të ligjshme gjatë angazhimit të tij brenda dhe jashtë vendit.