Kërkesa e PD për heqjen e mandatit të Xhaçkës, shtyhet mbledhja e Këshillit të mandateve, PS kërkoi kohë për lexim

Përditësuar më: 24/6/2022, ora 11:35

Kërkesa e PD për heqjen e mandatit të Xhaçkës, shtyhet mbledhja e Këshillit të mandateve, PS kërkoi kohë për lexim

Përditësuar më: 24/6/2022, ora 11:35

Mbledhja e Këshillit të Mandateve, e cila do të shqyrtonte kërkesën e Partisë Demokratike për heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, është shtyrë me argumentimin e përfaqësuesve të mazhorancës për t’u njohur me kërkesën e demokratëve.

Në mbledhjen e sotme, Balla tha se ky vendim i takon Gjykatës Kushtetuese, ndërsa kërkoi kohë për t’u njohur të gjithë me kërkesën.

 “Ju vetë nuk e keni seriozisht. Nuk bëhet fjalë për një çështje që ka thelb e substancë dhe nuk e heqim dhe nuk e japim ne mandatin. I takon Gjykatës Kushtetuese. Diskutimi është i karakterit kushtetues. Ajo që bëjmë ne nuk hyn në thelb. Ne kemi për detyrë të shohim ekzistencën e dokumentacionit ta shohim dhe ta lexojmë dhe provat që mbështesin mocionin, në fund ky institucion nuk merr vendime. Vendimin e merr seanca plenare. Ne duhet të verifikojmë nëse është në përputhje me nenin kushtetues dhe këtë do ta bëjmë me seriozitet dhe kur të vijmë këtu do të jemi seriozë. Lexoni rregulloren, se nuk është i detyruar deputeti që të jetë prezent”.  

Por kreu i grupit parlamentar Alibeaj theksoi se kërkesa të dëgjohet dhe pastaj anëtarët të njihen me dokumentacionin.

“Ne kemi paraqitur një kërkesë sipas të gjitha rregullave të shkruar e arsyetuar me prova dhe fakte. Sot jemi përgatitur ta shqyrtojmë dhe ky është seriozitet dhe jo seriozitet është kërkesa juaj ta shtyjmë. Pse se nuk keni pasur kohë ta lexoni. Pse ti e ke lexuar dhe të tjerët jo. Ky është detyrimi i çdo deputeti sinjali i parë është ta shtyjmë t’ia heqim syve të publikut, të mos respektojmë rregulloren. Për hir të seriozitetit dhe mos dhënë konkluzion paraprak, unë propozova një zgjidhje edhe për ata që nuk e kanë lexuar. Sot ne të operojmë me paraqitjen e kërkesës, ju të merrni kohë të lexoni letrat, t’i studioni ato. Është e drejta e saj të jetë prezent ose jo. E fundit që ndan shapin nga sheqeri është Gjykata Kushtetuese. Nuk do të duhet të lëmë asnjë cen procedural deri sa të arrijmë te Gjykata Kushtetuese. Ne do të debatojmë, diskutojmë e shqyrtojmë, ju keni të drejtën që të studioni me seriozitet të gjitha aktet që kanë bashkalidhur kërkesës, po kjo nuk do të thotë që të çohemi dhe të ikim që tani. Besoj që është e qartë dhe serioze dhe në respekt të procedurave që ky parlament duhet të zbatojë. Pse duhet të ndërpritet ju jeni 5 ne 5, nuk ka vendimmarrje në këtë pikë. Të ecim sot me paraqitjen e kërkesës dhe pastaj ta diskutojmë në mbledhjen e radhës”.

Pas këtyre deklaratave, kryetarja e kuvendit, Lindita Nikolla, vendosi që t’u jepet kohë kolegëve për ta lexuar kërkesën.

“Nuk e anashkaloj kërkesën e kolegëve për studim të dokumentacionit. Studiojmë pastaj e lexojmë dhe jemi në gjendje për ta gjykuar opinionin që do të ndërtojë ky këshill mandatesh. T’u japim kolegëve kohën që duhet për dokumentacionin”.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin u mblodh sot për të shqyrtuar një kërkesë të Partisë Demokratike për të hequr mandatin e deputetes Olta Xhaçka, pasi sipas PD-së ka konflikt interesi dhe shkelet paragrafi 3 i nenit 70 të Kushtetutës që thotë se deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre. PD-ja thotë se bashkëshorti i saj ka marrë statusin e Investitorit Strategjik dhe vetëm prej këtij fakti është shkelur Kushtetuta.