Raketa në qendër të Kievit. Shkatërrohen disa godina, persona të bllokuar nën rrënoja

Publikuar më: 26/6/2022, ora 11:10

Raketa në qendër të Kievit. Shkatërrohen disa godina, persona të bllokuar nën rrënoja

Publikuar më: 26/6/2022, ora 11:10

E dielë me bomba në kryeqytetin ukrainas. Disa shpërthime u raportuan mëngjesin e së dielës në zonën historike të Shevchenkivskiy, në qendër të Kievit, ku gjenden një sërë universitetesh, restorante dhe galeri arti.

Bombardimet shkaktuan dëme të mëdha në një lagje rezidenciale, ndërsa një pallat 9-katësh u përfshi nga flakët. Ekipet e shpëtimit po punojnë për nxjerrjen e qytetarëve nga rrënojat. Kryebashkiaku Vitaly Klitchko tha: “Godina është shkatërruar dhe persona kanw mbetur nën rrënoja. Ata janë gjallë dhe ekipet e shpëtimit po përpiqen t’i nxjerrin. Ka shumë tym dhe po bëjmë të pamundurën për t’i shpëtuar”. 

Sirenat e alarmit dëgjohen rregullisht në kryeqytet, por sulme të mëdha nuk janë raportuar që prej 5 qershorit, kur një servis automjetesh u godit në periferi të Kievit dhe në fund të prillit kur një producente e Radios Evropa e Lirw mbeti e vrarë pas bombardimit të pallatit ku jetonte.  

Në shënjestër të zjarrit rus është vwnw edhe Ukraina perëndimore, me 3 viktima qw u shënuan në qytezën e Sarnit. Të shtunën, Ukraina bëri të ditur se rusët kishin pushtuar plotësisht qytetin kyç të Severodonetskut, pas javësh luftime intensive. Marrja e kontrollit të qytetit nënkupton se Moska kontrollon tani të gjithë rajonin e Luhanskut dhe pjesën më të madhe të Donjetskut fqinj.

Në një videomesazh gjatë natës, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u zotua se do të rifitojnë të gjitha qytetet e pushtuara nga Rusia. Por, ai e pranoi se lufta me Rusinë kishte hyrë në një fazë tejet të vështirë.