Vrasja e Xhuvanit, videot e ngjarjes nxorën “zbuluar” zv. drejtorët e policisë së Elbasanit

Publikuar më: 28/6/2022, ora 16:16

Vrasja e Xhuvanit, videot e ngjarjes nxorën “zbuluar” zv. drejtorët e policisë së Elbasanit

Publikuar më: 28/6/2022, ora 16:16

Një video filmike e ngjarjes së ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën katër të tjerë në Elbasan, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, është prova kryesore e prokurorisë në hetimin që çoi në “arrest shtëpie” dy zv.drejtorët e Policisë, Albert Nushi e Nikolin Palla. Burime pranë grupit të hetimit bënë me dije se pamja filmike disa minutëshe është siguruar disa muaj pas ngjarjes.

Nga këqyrja e saj hetuesit kanë konstatuar mospërputhje të veprimeve të kryera në ngjarje nga punonjësit e policisë, në krahasim me ato që kishin deklaruar më pas. Sipas burimeve, të dyshuarit Nushi, aktualisht zv.drejtor i Policisë së Beratit dhe  Palla zv.drejtor për rendin në Elbasan, ndonëse kanë qenë të pranishëm në situatën e tensionuar mes simpatizantëve të PD e PS, nuk kanë kryer veprimet e duhura në parandalimin e krimit dhe as koordinuar vartësit e tyre pas të shtënave.

Nga ana tjetër, hetuesit pretendojnë deklarime jo të vërteta edhe nga efektivët e policisë, që teksa ndodhi ngjarja po shoqëronin drejtuesin e një mjetit ku sipas simpatizantëve të PD kishte materiale zgjedhore.

Me kërkesë të prokurorisë së Elbasanit, gjykata caktoi të hënë masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Nushin e Pallën për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “deklarimit të rremë”. Për të njëjtat akuza, gjykata pezulloi nga detyra 6 efektivë të Patrullës së Përgjithshme.

Caktimi i masës ndaj zyrtarëve të policisë u mor gati dy javë pasi hetuesit u kthyen në vendin e ngjarjes dhe rindërtuan skenën e krimit.