Kanabisi mjekësor do kultivohet në serra

Publikuar më: 30/6/2022, ora 16:13

Kanabisi mjekësor do kultivohet në serra

Publikuar më: 30/6/2022, ora 16:13

Pasi u përkrah nga 61% e shqiptarëve të pyetur në Këshillimin Kombëtar, qeveria ka hedhur për konsultim publik, nismën që mundëson kultivimin dhe përpunimin e kanabisit për qëllime mjekësore e industriale.

Sipas relacionit që shoqëron projektligjin, i cili do të çohet për votim në Parlament, licenca për prodhimin dhe përpunimin e kanabisit do të ketë vlefshmëri 15-vjeçare, në hapësira të mbuluara ose serra për sipërfaqe nga 5 deri në 10 hektarë.

Leja miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe sipërfaqja totale në rang vendi e mbjellë me kanabis për qëllime mjekësore nuk do t’i kalojë 150 hektarët.

Kushtet për dhënien e licencës dhe për marrjen e licencës përfshijnë pasjen e eksperiencës në këtë fushë, një kapital prej 100 milionë lekësh, së paku 15 të punësuar dhe vetëdeklarim se pas vitit të tretë të aktivitetit, subjekti do të paguajë një tarifë vjetore, sa 1,5% e xhiros vjetore.

Sipas dokumentit të hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe institucioneve të tjera të linjës, kultivimi dhe përpunimi i kanabisit për qëllime mjekësore e industriale do të monitorohet nga një agjenci e posaçme.

Pas amnistisë fiskale dhe ndryshimeve në taksimin e pensionistëve që ende punojnë, legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore është nisma e tretë e qeverisë, pas aprovimit nga qytetarët përmes Këshillimit Kombëtar. Pas konsultimit publik, draftet i kalojnë Parlamentit për diskutim dhe votim.