Kume: Me 8 organizata të shoqërisë civile kemi hartuar projektligjin për Reformën e re Zgjedhore

Publikuar më: 30/6/2022, ora 21:38
kume 1280x720

Kume: Me 8 organizata të shoqërisë civile kemi hartuar projektligjin për Reformën e re Zgjedhore

Publikuar më: 30/6/2022, ora 21:38

Ish-kreu i KQZ, Kristaq Kume, deklaroi në “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, se “një vit e gjysmë më parë, 8 organizata të shoqërisë civile, ndërmorën punën për të trajtuar problemet me të cilat ishte ndeshur qytetari pas reformës së vitit 2015” dhe është përgatitur projektligji për Reformën e re Zgjedhore.

“Ne duam të japim kontribut në zhvillimin e Reformës Zgjedhore, në problematikat që lidhen me zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore. Për mua, ky komision parlamentar duhet ta organizojë punën duke iu referuar me prioritet problemeve që lidhen me zgjedhjet vendore dhe pastaj problemet që lidhen me zgjedhjet për Kuvendin. Mes të dyjave ka çështje që duhen trajtuar, si administrata apo financimi. Një vit e gjysmë më parë, 8 organizata të shoqërisë civile, ndërmorëm punën për të trajtuar problemet me të cilat ishte ndeshur qytetari pas reformës së vitit 2015. Morëm mendimet e qytetarëve dhe organizuam kontakte me grupe të ndryshme qytetarësh, stafe akademike dhe të zgjedhur vendorë. Morëm informacionin dhe formuluam disa ide se si mund të ndërhyhej në legjislacion, për ta bërë më mirë funksionimin e demokracisë. Kemi hartuar një draft-ligj dhe propozojmë që zgjedhja e organeve vendore të bëhet sipas parimit proporcional, por me lista të hapura. Nga ana tjetër, kemi treguar kujdes për mënyrën se si duhet administruar vota parapëlqyese dhe mekanizmi që kemi fiksuar në projektligj është ndarja e mandateve midis kandidatëve të një subjekti të bëhet vetëm pasi kandidatët të jenë rirenditur sipas votave parapëlqyese që kanë marrë”, tha Kume.