Nënshkruhet në Spanjë memorandumi për energjinë, puna nis në shtator

Publikuar më: 30/6/2022, ora 21:05
rama madrid 1280x720

Nënshkruhet në Spanjë memorandumi për energjinë, puna nis në shtator

Publikuar më: 30/6/2022, ora 21:05

Në përmbyllje të vizitës së kryeministrit Edi Rama në Spanjë, është nënshkruar sot në Madrid Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Albgaz dhe Kompanisë spanjolle ENAGAS, për t’i hapur rrugë projekteve të qeverisë shqiptare në sektorin e energjisë. Memorandumi u nënshkrua në takimin e kryeministrit Rama me zëvendëskryeministren spanjolle Teresa Ribera dhe drejtuesit e kompanisë ENAGAS, së bashku me Ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku.   Puna intensive do të nisë fillim në shtatorit kur ENAGAS do të vizitojë Shqipërinë.

Kryeministri theksoi se me rritjen e interesimit të kompanive të njohura në Europë e SHBA, për bashkëpunim në fushën e energjisë, duke i çelur rrugën transformimit të Shqipërisë si një pikë e rëndësishme hyrje e shpërndarjeje të gazit për gjithë rajonin.

“Tashmë po investojmë në energjinë diellore. Nesër do të inaugurojmë nisjen e ndërtimit te parkut të parë diellor, i pari në rajon, po kështu po punojmë të bëjmë diçka  edhe me erën, por me Gazsjellësin Trans Adriatik dhe me gjithë situatën që praktikisht ka ndryshuar krejt perspektivën lidhur me gazin, ne jemi bërë tërheqës tani, na shohin me interes ndryshe. Jemi shumë të lumtur të shohim që ka shumë kompani që janë të interesuara kështu që është një moment shumë i mirë ky për të pasur përfshirjen e ENAGAZ. Ju keni njohuri shumë të gjerë, përvojë, një bilanc të shkëlqyer sa i takon mirëqeverisjes brenda kompanisë, kështu që çdo gjë është në vendin e duhur”.

Ndërsa Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku tha se marrëveshja është një hap i ri për të forcuar sistemin tonë energjetik, për të krijuar kapacitete të reja dhe burime alternative të prodhimit të energjisë, përmes gazit të lëngshëm.

“ENAGAS është angazhuar, jo vetëm për të kontribuuar fuqishëm në ngritjen e të gjithë transmetuesit IAP, pra duke nisur nga e gjithë pjesa perëndimore e Ballkanit perëndimor, pra nga Kroacia deri në Greqi ku Shqipëria përfshihet me Portin  e lundrueshëm të Vlorës edhe me pikat e daljes që kemi në territorin tonë të gazsjellësit të TAP-it, por gjithashtu është angazhuar të marrë pjesë edhe me investimet në depozitat natyrore të gazit të lëngshëm, por edhe në të gjitha hapat që ne do të hedhim në të ardhmen edhe në terminalin, edhe në termocentralin e Vlorës, i cili parashikohet të arrijë edhe në 350 Megavat/orë”. 

Për Ballukun lufta në Ukrainë e shndërroi energjinë edhe në produkt sigurie jo vetëm nevojë bazike.

“Duhet theksuar tashmë që energjia si për Shqipërinë, si për Spanjën, por edhe për mbarë vendet europiane, por edhe mbarë botën, nuk është më çështje komerciale. Nuk bëhet fjalë për një produkt, i cili është i nevojshëm dhe është një nga nevojat bazike të cdo qytetari kudo në botë, por bëhet fjalë për sigurinë. Energjia tashmë është kthyer në ‘armën’ më të fortë të sigurisë pasi kemi parë se konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës, ka nxjerrë në sipërfaqe këtë problem prej disa muajsh. Kështu që Shqipëria, duke patur një partner të ri, duke firmosur sot një bashkëpunim me ENAGAS, i cili nis menjëherë duke nisur që nesër dhe puna intensive është lënë për të nisur në fillim në shtatorit kur ENAGAS do të  vizitojë Shqipërinë, ne kështu kemi shënuar sot një hap të ri për të forcuar sistemin tonë energjetik, për të krijuar kapacitetet e reja dhe burimet alternative të prodhimit të gazit të lëngshëm dhe duke kthyer Shqipërinë si një nga vendet më të rëndësishme të Ballkanit për transmetimin e gazit të lëngshëm, i cili do të vijë në Portin e Vlorës dhe duke e kthyer Shqipërinë në një faktor energjetik për të gjithë Europën”.