Qyteti i ndërtuar mbi një rrjet kozmik

Publikuar më: 30/6/2022, ora 14:16

Qyteti i ndërtuar mbi një rrjet kozmik

Publikuar më: 30/6/2022, ora 14:16

Krijuar 300 vjet më parë, Jantar Mantar në Jaipur, Indi, është një kompleks i mbushur me struktura gjigante astronomie. Të rrethuara me mure dhe shkallë të çuditshme trekëndore, ato ngjasojnë me tempuj apo vende kulti. Në fakt, koleksioni 300-vjeçar i 20 strukturave të quajtura “yantra” mund të matin pozicionet e yjeve dhe planetëve, si dhe të tregojnë saktësisht kohën. Mund të duken mistike dhe të pakuptueshme, por u përdorën si zgjidhje arkitekturore për astrologët tradicionalë hindu të cilët përpilonin grafikët e lëvizjes së planetëve, si parashikonin data të favorshme, sipas besimit vendas.

Më 1727, kur mbreti Sawai Jai Singh, konceptoi Jaipurin si kryeqytetin e tij, ai donte ta projektonte atë bazuar në parimet e Vastu Shastra, të cilat bazohen në natyrë, astronomi dhe astrologji. Mbreti ishte i vetëdijshëm se për të përafruar në mënyrë të përsosur Jaipur-in me yjet, si dhe për të parashikuar motin, do t’i duheshin instrumente të sakta. Ai dërgoi ekipe kërkimore nëpër Azinë Qendrore dhe Evropë për të mbledhur të dhëna të bazuara në njohuritë e shkencëtarëve islamikë dhe evropianë. Pas kërkimeve, u ndërtuan pesë observatorë në qytetet indiane të Jaipur, Delhi, Ujjain, Varanasi dhe Mathura. Megjithatë, Jantar Mantar në Jaipur, përfunduar në vitin 1734, është më i madhi dhe më gjithëpërfshirësi, si dhe është pjesë e  Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. 

Jantar Mantar në Jaipur përfaqëson risitë në arkitekturë, astronomi dhe kozmologji, si dhe mësime e tradita nga kulturat perëndimore, të Lindjes së Mesme, aziatike dhe afrikane. Në sanskritisht, jantar do të thotë instrumente, dhe mantar nënkupton kalkulator, kështu që secila prej strukturave ka një qëllim matematikor: disa janë orë diellore për të treguar kohën lokale dhe për të përcaktuar me saktësi pozicionin e diellit në hemisferë; ndërsa të tjerat matin lëvizjet e yjeve dhe planetëve për të zbuluar shenjat e zodiakut.

Sot, studentë, shkencëtarë dhe turistë nga mbarë bota e vlerësojnë Jantar Mantar në Jaipur shumë më tepër se një monument historik. I ndodhur në zemër të një qyteti të lashtë, strukturat e tij monolitike vazhdojnë të ndihmojnë astrologët dhe fizikanët në studimet e tyre rreth kozmosit.