Rritet numri i shqiptarëve të shtruar në spitalet psikiatrike

Publikuar më: 30/6/2022, ora 15:24

Rritet numri i shqiptarëve të shtruar në spitalet psikiatrike

Publikuar më: 30/6/2022, ora 15:24

Më shumë shqiptarë që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor po kërkojnë ndihmë të specializuar. Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, vetëm në 4 muajt e parë të vitit në spitalet psikiatrike u shtruan 749 qytetarë, shifër kjo gati e 2-fishuar brenda tre viteve.

“Situata post-Covid është një element shumë i rëndësishëm që mendohet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te rritja e numrit të këtyre personave. Sepse izolimi dhe pasiguria që patëm për jetën mendohet që ndikon drejtpërdrejtë te rritja e këtyre shifrave”, thotë Eneida Frashëri, pedagoge dhe psikologe.

“Kemi një bashkekzistencë të traumave, pasi ka edhe situata të tjera, si humbja e punës, vështirësitë ekonomike, kriza, luftë në Ukrainë, që duket sikur nuk na ndikon, por thjesht është frika dhe pasiguria që ngjall tek individët. Të gjithë këto faktorë krijojnë konglomerat problematikash emocionale që mund të çojnë për nevojë për trajtim psikiatrik”, thotë Lenida Halilaj, pedagoge, psikologe.

Ndërkohë psikologët pohojnë se këto shifra mund të jenë edhe më të larta. “Të paktën në perceptimin tim, ka një numër shumë të madh personash që kanë nevojë për të marrë këto shërbime, por refuzojnë për shkak të stigmatizimit, paragjykimit”, thotë Frashëri.

Dhe ecuria tregon për shtim të mëtejshëm të rasteve të atyre që kanë probleme të shëndetit mendor. “Mund të shtohen akoma më tepër sepse i mbivendosen problemet ekonomike dhe sociale. Do të sugjeroja, fokusi te këshillimi psikologjik, përpos marrjes së medikamenteve”, thotë Halilaj.

Në vend përllogaritet se 1 në 4 qytetarë vuan nga shëndeti mendor, ndërsa çrregullimet janë më të përhapura te grup-mosha e të rinjve.