Vrasja e Xhuvanit, ish-zv.drejtori i Policisë së Elbasanit: Gjykata nuk më dha masë sigurie

Publikuar më: 30/6/2022, ora 13:44

Vrasja e Xhuvanit, ish-zv.drejtori i Policisë së Elbasanit: Gjykata nuk më dha masë sigurie

Publikuar më: 30/6/2022, ora 13:44

Gjykata e Elbasanit ka konfirmuar masën e sigurisë “arrest shtëpie”, të kërkuar nga Prokuroria, për dy ish-zëvendësdrejtorët e Policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla, të cilët një vit më parë kanë qenë pranë vendngjarjes ku u ekzekutua me armë Pjerin Xhuvani, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare.

Por edhe pse Gjykata thotë se ka njoftuar dy ish-drejtuesit për masën e sigurisë, vetë njëri prej tyre, Albert Nushi, thotë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Për gazetarët, Nushi tha gjithashtu se nuk ka qenë i përfaqësuar nga avokat në sallën e gjyqit.

Ndaj dy ish-zv.drejtuesve të lartë të Policisë së Elbasanit janë ngritur akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe dëshmisë së rreme, në lidhje me vrasjen e Pjerin Xhuvanit. Gjithashtu, e njëjta gjykatë ka vendosur masën e pezullimit nga detyra edhe të gjashtë efektivëve të tjerë të forcës së posaçme “Shqiponja”, të cilët gjithashtu kanë qenë të pranishëm në vendngjarje.

Një video filmike e ngjarjes ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën katër të tjerë në Elbasan, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, është prova kryesore e prokurorisë në hetimin që çoi në “arrest shtëpie” dy zv.drejtorët e Policisë, Albert Nushi e Nikolin Palla. Burime pranë grupit të hetimit bënë me dije se pamja filmike disa minutëshe është siguruar disa muaj pas ngjarjes.

Nga këqyrja e saj hetuesit kanë konstatuar mospërputhje të veprimeve të kryera në ngjarje nga punonjësit e policisë, në krahasim me ato që kishin deklaruar më pas. Sipas burimeve, të dyshuarit Nushi, aktualisht zv.drejtor i Policisë së Beratit dhe Palla zv.drejtor për rendin në Elbasan, ndonëse kanë qenë të pranishëm në situatën e tensionuar mes simpatizantëve të PD-së e PS-së, nuk kanë kryer veprimet e duhura në parandalimin e krimit dhe as koordinuar vartësit e tyre pas të shtënave.

Nga ana tjetër, hetuesit pretendojnë deklarime jo të vërteta edhe nga efektivët e policisë, që teksa ndodhi ngjarja po shoqëronin drejtuesin e një mjetit, ku sipas simpatizantëve të PD-së kishte materiale zgjedhore.

Me kërkesë të prokurorisë së Elbasanit, gjykata caktoi të hënë masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Nushin e Pallën për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “deklarimit të rremë”. Për të njëjtat akuza, gjykata pezulloi nga detyra 6 efektivë të Patrullës së Përgjithshme.

Caktimi i masës ndaj zyrtarëve të policisë u mor gati dy javë pasi hetuesit u kthyen në vendin e ngjarjes dhe rindërtuan skenën e krimit.