Vuçiç: Kosova po përgatit sulm në Veri, por nuk do të ndërhyjmë ushtarakisht

Publikuar më: 30/6/2022, ora 08:00

Vuçiç: Kosova po përgatit sulm në Veri, por nuk do të ndërhyjmë ushtarakisht

Publikuar më: 30/6/2022, ora 08:00

Kosova synon të krijojë një “stuhi të re” në Veri, paralajmëron presidenti serb Aleksandër Vuçiç pas takimit me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Europian Miroslav Lajçak. Dukshëm i nervozuar nga biseda me zyrtarin e lartë të BE-së, numri një i Beogradit parashtroi ato që i quajti kërkesa të reja të Prishtinës të mbështetura nga komuniteti ndërkombëtar.

Duke komentuar vendimin e qeverisë për mundësinë e regjistrimit të targave të lëshuara nga Serbia me “RKS”, Vuçiç tha se autoritetet po shpresojnë të detyrojnë serbët të largohen nga veriu dhe t’u marrin veturat nëse nuk i regjistrojnë me targat e Kosovës.

“Ata kanë mbështetjen e plotë të Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe vendeve të tjera të Kuintit. Kanë marrë dy vendime në institucionet e tyre të përkohshme. Njëri, është të ndalojnë hyrjen në vend me karta identiteti dhe tjetri është një vendim me qëllimin e vetëm për të dëbuar serbët nga veriu, duke krijuar një stuhi të re, përmes së cilës duan të bindin serbët që brenda dy muajve të regjistrohen me targat e republikës së Kosovës”.

Gjithashtu, sipas një udhëzimi të ri të qeverisë së Kosovës të miratuar të mërkurën, të gjithë personat që kanë dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës, do të marrin një certifikatë që i zëvendëson këto dokumente.

Vuçiç shkoi më tej duke paralajmëruar se Prishtina u ka dhënë ultimatum deri në fund të shtatorit, dhe po përgatit një sulm të përgjithshëm më 1 tetor. Por, shtoi ai,  përgjigjja e Serbisë ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës do të jetë e matur. “Ne nuk do të ndërmarrim veprime ushtarake, por kërkojmë që të mos ua marrin pronat njerëzve dhe të mos i dëbojnë”, tha ai. Vuçiç, po ashtu, tha se Serbia është e gatshme për dialog, por, sipas tij, pala kosovare nuk është.