Zgjidhet ngërçi i vetos bullgare? Analistët skeptikë: Asgjë e mirë për Ballkanin nuk ka ardhur nga Franca

Publikuar më: 30/6/2022, ora 22:26

Zgjidhet ngërçi i vetos bullgare? Analistët skeptikë: Asgjë e mirë për Ballkanin nuk ka ardhur nga Franca

Publikuar më: 30/6/2022, ora 22:26

Pas versionit të ri francez që synon marrëveshjen midis Maqedonisë së  Veriut me Bullgarinë që të finalizojë heqjen e vetos nga kjo e fundit, negociatat e Shkupit dhe Tiranës për anëtarësimin në BE mund të hapen së shpejti, ndoshta edhe javës që vjen. Po çfarë ndryshon kjo në dinamikat e këtij procesi?

Analistja Edlira Gjoni nuk i “beson” presidentit francez. “Kam frikë që javën e ardhshme do na thonë që fajin e pati Shkupi, ka shumë mistere për atë që i është propozuar Maqedonisë së Veriut. Do të isha e trishtuar sikur t’ia vinin fajin. Ata ndërruan emrin dhe i siguruan me 1 milion për qind se ndryshimi do të sillte hapjen e negociatave, por ja që erdhi një kusht tjetër i domosdoshëm, që nuk dimë mirë çfarë është. Macronin nuk e besoj më si kur u zgjodh për herë të parë, kishim shumë pritshmëri,  të mos harrojmë se ai është nismëtari i formulës së re që e linte jashtë Ballkanin Perëndimor nga BE-ja. Nga Franca nuk ka ardhur ndonjëherë ndonjë kartë e bardhë për Ballkanin Perëndimor, do të çuditesha shumë”, thotë ajo.

Ekonomisti Dritan Shano duket edhe më skeptik. “Turqia i ka hapur negociatat shumë përpara se Erdogan të fillonte të merrej me politikë, dhe ende aty është. Hapja e negociatave është një instrument tjetër vonese për anëtarësimin. Janë filtra, të cilat duan ta lënë me duar të lira Brukselin për të shtyrë sa më larg aktin politik të anëtarësimit”, thotë ai në Absolut 4.  

“Po përjetojmë një situatë anomale në dyert e Shqipërisë, që mund të replikohet në Ballkan. Është një moment alla Schuman, alla Delors dhe jo një moment alla Macron, duhet që Europa t’i thërriste zemrës dhe jo mendjes. Qeveritarët tonë gëzohen që nuk hapet anëtarësimi, por shqiptarët dëshirojnë institucione dhe standarde, sepse politika e vendit ia refuzon në çdo mënyrë”, shton Shano.  

Gazetari Lutfi Dervishi ndërkohë jep një shembull. “Ne kemi vende që kanë gjuhë të përbashkët, fe të përbashkët dhe janë të ndarë, si vendet arabe. Në BE kemi vende me gjuhë dhe tradita të ndryshme që janë bashkë, çfarë i bën bashkë? Është “rule of law”, që kërkon institucione të forta, media të lira, respekt të minoriteteve etj. Ne kemi një vonesë 10-vjeçare në çeljen e negociatave, pra do të ishte lajm i gëzueshëm nëse kjo realizohet, edhe pse është i paqartë ende qëndrimi i Maqedonisë së Veriut. Gjithsesi hapja e negociatave nuk është mbyllje, as maratonë, do të duhet një dekadë, bëhet fjalë për gjëra konkrete”.