Shqipëria po bëhet gati të tatojë kriptomonedhat

Publikuar më: 1/7/2022, ora 11:51

Shqipëria po bëhet gati të tatojë kriptomonedhat

Publikuar më: 1/7/2022, ora 11:51

Shqipëria po bëhet gati që të tatojë të ardhurat e gjeneruara nga kriptomonedhat. Projektligji i hartuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, hedhur tashmë për Konsultim Publik synon të taksojë me 8 për qind të ardhurat nga dividendët, pjesën e fitimit që merr secili aksionar dhe 15 për qind të ardhurat e tjera.

“Pjesa e parë është tatimi i të ardhurave nga tregtimi i kriptomonedhave si investim. Pjesa e dytë është tatimi i të ardhurave nga prodhimi i kriptomonedhave”, thotë Fation Ceka, menaxher investimesh.

Në dokument parashikohet gjithashtu se procesi i gërmimit, njohur si “mining” dhe transaksionet e shitjes së kriptomonedhave do të konsiderohen si të ardhura nga investimet. “Akoma nuk kemi përcaktuar si bëhet vlerësimi i kriptovalutave. Kjo pritet të bëhet nga Ministria e Financës. Duhet të ketë një rregullore se çfarë mënyre deklarimi do të përdoret”, thotë Ceka.

Veç vakumit ligjor, me dyshime shihet edhe aftësia e administratës tatimore si për mbledhjen e të ardhurave, ashtu edhe për parandalimin e pastrimit të parave. “Ka disa vështirësi teknike për strukturimin e mbledhjes së këtyre taksave. Ka shumë vite që flas për ngritjen e një task-force që do të bëjë kontrollin për pastrimin e parave dhe financimit të terrorizmit”, thotë Ceka.

Referuar të dhënave të algoritmit “Chainalysis” aktualisht në vend numërohen më shumës e 28500 portofole, që përkthehet në rreth 1 për qind të popullsisë, të cilët kanë investuar rreth 62 milionë dollarë.