Euro në minimum historik, por po mban inflacionin nën kontroll

Publikuar më: 3/7/2022, ora 15:59

Euro në minimum historik, por po mban inflacionin nën kontroll

Publikuar më: 3/7/2022, ora 15:59

500 euro të dërguara nga një emigrant drejt familjes së tij në Shqipëri, një vit më parë, bashkë me kostot e larta të transfertës, do të përktheheshin në 61 mijë lekë të reja. Sot, kur euro po zhvlerësohet çdo ditë ndaj lekut, e njëjta shumë përkthehet në vetëm 58 mijë lekë.

Në kulmin e një krize çmimesh, kur çdo gjë e veçanërisht ushqimet janë shtrenjtuar, për 1 në 4 familje shqiptare që marrin remitanca, 3 mijë lekë më pak është një goditje e madhe për buxhetin mujor. Goditje edhe për ata eksportues me kapital shqiptar, që kanë edhe forcën e punës që duhet ta paguajnë në lekë, ku kjo rënie e euros i tkurr fitimit.

Por për pjesën tjetër, euro në kuotën 119.1 lekë, 2 lekë më pak brenda një muaji, mund të jetë edhe një bekim.

Inflacioni në vendin tonë u llogarit për muajin maj në 6.7%, ndikuar fort edhe nga karburantet. Ndërsa në eurozonë, norma e fundit e inflacionit shënoi 8.6%. Arsyeja pse Shqipëria ka një rritje më të zbutur të çmimeve, shihet pikërisht edhe tek kursi i këmbimit. Me një monedhë kombëtare më të fortë, fuqia blerëse e importuesve rritet, duke i dhënë atyre mundësinë të mbajnë çmime relativisht më të mira.

Përfituese edhe vetë qeveria, të cilës i ulet pesha e borxhit të jashtëm dhe ka më shumë aftësi paguese për të shlyer interesat e tij dhe këstet e kredive në valutë.

Faktorët që vlerësohet se po ndikojnë në kursin e këmbimit lidhen së pari me rikuperimin e plotë të turizmit, që po sjell flukse të mëdha valute në vendin tonë: 409 milionë euro për tre muajt e parë të vitit. Ndërsa edhe rritja e eksporteve dhe shërbimeve të nënkontraktuara po sjell më shumë të ardhura në valutë të huaj.

Me hyrjen në pjesën e nxehtë të sezonit veror, pritshmëritë e agjentëve të tregut janë për një forcim të mëtejshëm të lekut, diçka që mund të balancohet vetëm nga ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë për blerjen e valutës në ankande, vlerë e parashikuar nga 140 deri në 200 milionë euro përgjatë këtij viti.