Procesi ndaj Salianjit për “Babalen”, Berisha: Rama dhe Xhafaj duan t’i heqin mandatin

Publikuar më: 4/7/2022, ora 11:25
WhatsApp Image 2022 07 04 at 11.14.54 AM 1081x720

Procesi ndaj Salianjit për “Babalen”, Berisha: Rama dhe Xhafaj duan t’i heqin mandatin

Publikuar më: 4/7/2022, ora 11:25

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat u shpreh se procesi ndaj deputetit Ervin Salianji “përbën një triumf të plotë të mafies së Edi Ramës në çdo nivel”.

Gjykata e Apelit Tiranë ka caktuar datën 4 korrik për seancën e parë gjyqësore në ngarkim të deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, për akuzën ndaj tij në dosjen “Babalja”. Deputeti dhe tre të bashkëpandehur u dënuan 3 vjet më parë për “kallëzim të rremë” për inskenimin e një audio-përgjimi, ku pretendohej se vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, bisedonte për çështje droge.

“Salianji, si deputet, denoncoi Geron Xhafën, një i kërkuar nga drejtësia italiane sepse ishte i dënuar me 7 vite burg si drejtues i trafikut të drogave të forta, i cili vazhdonte i qetë punën e tij të zezë nga Porti i Vlorës, me mbrojtje totale të pushtetit të Ramës dhe Fatmir Xhafës. Gazetarë kurajozë faktuan nëpërmjet regjistrimeve se Geron Xhafa vazhdonte të ishte drejtues i trafiqeve dhe siguronte tonelata drogë për tregun italian. Ervin Salianji nuk ka bërë asgjë tjetër veçse ka denoncuar mosdorëzimin tek autoritetet italiane të të shumëkërkuarit Xhafa dhe ka publikuar regjistrimin e gazetarit investigativ, sipas të cilit, Xhafa vazhdonte drejtimin e trafiqeve”, tha Berisha.

“Në një skenar që do ta kishin lakmi edhe superfilmat për mafien, Xhafa ndalohet dhe sillet në Tiranë, bën padi kundër gazetarit dhe Ervin Salianjit, sepse i njollosën pastërtinë e tij dhe të nesërmen, në 6 të mëngjesit, prokurorët politikë, për të mos bërë asnjë hetim ndaj aktivitetit të tij kriminal, e nisën për në Itali, që të vuajë dënimin atje. Një ditë më vonë, fillon montimi i shpifur, i turpshëm, manipulimi me mënyrat më të vjetra të policisë sekrete për të deformuar realitetin. Në këtë akt kriminal, janë të implikuar direkt Ardi Veliu, famëziu Nushi që sot është në arrest, punonjës të SHIK-ut, që njëlloj si agjentët e sigurimit të Enver Hoxhës, sapo morën vesh që bëhej vesh për Xhafën, shkelmuan ligjin dhe thanë se zëri ishte i Agron Hysenit”, shtoi Berisha.

Në vendimin e dhënë në dhjetor të vitit 2019 Salianji, atë kohë jashtë Kuvendit, u dënua me 1 vit burg. Ai nuk shkoi në qeli pasi u hetua dhe u gjykua në gjendje të lirë dhe vendimi nuk ishte i formës së prerë. Në Apel, deputeti kërkon prishje të dënimit dhe deklarim të pafajshëm.

Pafajësi pretendojnë në apel edhe të bashkëpandehurit e tij, Fredi Alizoti, i dënuar me 2 vjet burg si aktruesi i zërit të Geron Xhafajt, vëllait të ish-ministrit, gazetari Jetmir Olldashi, i dënuar me 100 orë punë në interes publik dhe Albert Veliu, i njohur si “Babalja”, i dënuar me 3 vjet e 5 muaj burg në mungesë.