Gjirokastra turistike, transporti publik pa informacion dhe në kushte primitive

Publikuar më: 5/7/2022, ora 12:53

Gjirokastra turistike, transporti publik pa informacion dhe në kushte primitive

Publikuar më: 5/7/2022, ora 12:53

Shërbimi i transportit publik në Gjirokastër, lë shumë për të dëshiruar. Mungesa e një terminali, si dhe e orareve të rregullta për nisjen e autobusëve, krijon shumë vështirësi tek udhëtarët, të cilët në këto temperatura detyrohen të presin në diell.

Por duket se më të vështirë e kanë turistët e huaj, të cilët janë plotësisht të painformuar për një shërbim që në fakt duhet të jetë ndër kushtet elementare për një qytet turistik.

“Jam nga Meksika, duhet të shkoj drejt Vlorës, por është vështirë, disa shokë më kishin thënë, por nuk e besoja se ishte kaq vështirë, edhe për të gjetur stacionin nuk kishte informacion”, thotë njëri prej tyre.

Por ky nuk është i vetmi problem në qytetin e gurtë. Edhe brenda tij mungojnë thuajse tërësisht stacionet e linjave urbane. Mjetet e transportit urban ndalojnë vend e pa vend duke rrezikuar kalimtarët apo duke krijuar trafik.

Ndërsa në lagjen Cfake të qytetit, më tepër se 120 familje vuajnë prej dy vitesh mungesën e transportit urban, i cili me sa duket nuk ofrohet më nga firma përkatëse.

 “Jemi të moshuar, kemi probleme sepse duhet të shkojmë në spital. Ka pasur dy autobusa që vinin te lagjja, tani pse nuk ka? Rinia nuk ka mundësi të dalë, nuk mund të çojmë fëmijët, nuk është normale”, thonë për A2 CNN disa prej tyre.  

Edhe pse ka një projekt konkret për ndërtimin e një terminali autobusësh në Gjirokastër, bashkia e këtij qyteti prej dy vitesh nuk po arrin të gjejë vendin për ndërtimin e terminalit, me preteksin se të gjitha terrenet janë me pronar dhe bashkia nuk ka mundësi ekonomike për shpronësimin e tyre.