Viti i rikuperimit të turizmit? Çmimet, lufta dhe mungesa e stafit zbehin pritshmëritë

Publikuar më: 5/7/2022, ora 15:52

Viti i rikuperimit të turizmit? Çmimet, lufta dhe mungesa e stafit zbehin pritshmëritë

Publikuar më: 5/7/2022, ora 15:52

Shumë turistë, por ndoshta pak fitim. Sezoni veror këtë fillim korriku ngjall shpresë, por pak entuziazëm për bizneset e industrisë së turizmit në vend. Lufta në Ukrainë po jep ndikimin e saj në mungesën e vizitorëve nga vendet e prekura direkt apo indirekt, ndërsa kriza e çmimeve nga ana tjetër, po i detyron shumë të maten në shpenzimet e tyre për pushime. Ndërsa bizneset, pavarësisht shtrenjtimit të shërbimeve, po heqin sërish dorë nga një pjesë e fitimit

Këta faktorë bëjnë që industria të stepet ende për ta quajtur 2022-shin, vitin e rikuperimit të turizmit. “Sezoni, tamam-tamam, për të huajt dhe shqiptarët e diasporës, fillon nga dyjavëshi i dytë i korrikut dhe deri në fund të gushtit. Shohim këto ditë që kemi ende dhoma të lira në të gjithë bregdetin shqiptar”, thotë sipërmarrësi Ferjolt Ozuni. “Ndoshta do të arrijmë deri te viti 2019 me numër, por jo me vlera, sepse çmimet janë rritur, shpenzimet janë rritur”.

Larg 2019-s këtë vit mund të jetë edhe shërbimi në hotele dhe restorante, nisur nga vështirësitë e mëdha që po hasin në plotësimin me staf. “Ka problematikë shumë të madhe për gjetjen e forcës punëtore, të specializuar në turizëm. Kemi ende hotele që kërkojnë punonjës, pavarësisht se jemi afër mesit të sezonit, për recepsion, kuzhinë, bar, restorant. Kemi një boshllëk shumë të madh dhe kjo do të ndikojë edhe në cilësinë e shërbimeve që do të ofrohen”, thotë Ozuni.

Shifrat deri më tani janë pozitive për turizmin, ku për fillimin e vitit ka një rekord turistësh të huaj dhe një shifër po ashtu rekord të shpenzimeve të bëra prej tyre.