Për 2 metra dhe! “Tufina” çon 8 në pranga, korrupsion për varre dhe leje ndërtimi

Publikuar më: 6/7/2022, ora 14:28

Për 2 metra dhe! “Tufina” çon 8 në pranga, korrupsion për varre dhe leje ndërtimi

Publikuar më: 6/7/2022, ora 14:28

Prenotimi i 2 metrave dhe në varrezën e Tufinës në kryeqytet kushtonte nga 30 në 50 mijë lekë nën dorë te punonjësit e Agjencisë Funerale të Bashkisë Tiranë. Hetimi i kësaj skeme korruptive nga prokuroria çoi në pranga 4 punonjës të agjencisë, mes të cilëve drejtorin e saj, Eljodor Ndini.

Përdorimi i metodave speciale në hetimin e drejtuar nga prokurori Bledar Valikaj hodhi dritë mbi të tjera afera korruptive, mes të cilave për leje ndërtimi e rindërtimi dhe zgjeroi në 12 vetë numrin e të dyshuarve. Tetë prej tyre u prangosën këtë të mërkurë nga operacioni policor i koduar “Tufina”, dy u shpallën në kërkim dhe dy të tjerë do të hetohen në gjendje të lirë.

Lista e të arrestuarve dhe të shpallurve në kërkim

1. Eljodor Ndini, Drejtor i Agjencisë së Shërbimeve Funerale të Bashkisë Tiranë, i dyshuar për veprat penale Korrupsion pasiv i punonjësve që ushtrojnë funksione publike, Ushtrim ndikimi i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksioneve publike, Shpërdorim i detyrës.

2. Xhemal Mena, me detyrë punonjës i Sektorit të Varrezave Tufinë pranë Agjencisë së Shërbimeve Funerale të Bashkisë Tiranë, i dyshuar për veprën penale Shpërdorim i detyrës.

3. Latif Shehu, me detyrë punonjës i Varrezave Tufinë, në Agjencinë e Shërbimeve Funerale Bashkia Tiranë, i dyshuar për veprën penale Shpërdorim i detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K Penal;

4. Gazment Daja, me detyrë punonjës i Varrezave Tufinë pranë Agjencisë së Shërbimeve Funerale të Bashkisë Tiranë, i dyshuar për veprën penale Korrupsion pasiv i  personave qe ushtrojnë funksione publike.

5. Bujar Lica, i dyshuar për veprën penale Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave qe ushtrojnë funksione publike.

6. Alban Ajazi, i dyshuar për Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike dhe Korrupsion pasiv i punonjësve që ushtrojnë funksione publike.

7. Endrin Milla, i dyshuar për Ushtrim ndikimi i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksioneve publike, Korrupsion aktiv i punonjësve që ushtrojnë funksione publike.

8. Fatjon Gjonaj, i dyshuar për veprën penale Ndërtim i Paligjshëm.

U proceduan në gjendje të lirë

1. Roza Ndoj, e dyshuar për veprën penale Shpërdorim i detyrës

2. Juljan Çuka, i dyshuar për veprën penale Shpërdorim i detyrës

U shpallën në kërkim:

1. Shaqir Nika, i dyshuar për veprën penale Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione.

2. Fabjan Gjonaj, i dyshuar për veprën penale Ndërtim i Paligjshëm.

Burime pranë grupit të hetimit pohuan se dokumentimi i korrupsionit me varret u bë përmes një veprimi të simuluar, ku një agjent prenotoi një tokë varri kundrejt ryshfetit. Ndërsa objekti në foto është një prej ndërtimeve pa leje brenda varrezës së Tufinës.

Hetimi zbuloi se paligjshmëritë e tjera kushtonin edhe më shtrenjtë. Kështu, në këmbim të ryshfetit 200 mijë lekë të rinj, të dyshuarit ushtronin ndikim të paligjshëm tek funksionarët e ndryshëm shtetërorë për nxjerrjen e lejeve të ndërtimit e rindërtimit nga tërmeti pranë bashkisë Tiranës, si edhe nxjerrjen e certifikatave të pronësisë pranë ASHK dhe përfitim të kredisë së butë në bashki.

Ndërsa për sigurimin e certifikatave të vaksinimit për Covid-19, ryshfeti shkonte në 30 mijë lekë. Ndaj të dyshuarve rëndojnë akuzat e “korrupsionit”, “shpërdorimit të detyrës”, “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “ndërtimit të paligjshëm”.