“Dorëzimi” i Boris Johnson, si arriti kryeministri britanik deri në këtë pikë?
Në vitin 2019, Boris Johnson arriti të korrte një fitore historike, duke përdorur si “kalë beteje” daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, por as Brexit nuk ka mundur ta mbajë dot në pushtet kryeministrin britanik.
50 anëtarë të qeverisë së tij dhanë brenda 48 orëve dorëheqjen, duke shkaktuar një furtunë në kabinetin britanik.
Por si arriti Boris Johnson deri në këtë pikë?
Popullariteti i kryeministrit britanik, nisi të merrte goditje serioze për shkak të një sërë skandalesh, duke filluar që nga pandemia, deri tek ato seksuale.
Ndryshe nga shumë liderë perëndimorë që vendosën ta shfrytëzonin Covid-19 për të forcuar pozitat e tyre, Johnson doli i humbur nga kjo situatë e jashtëzakonshme.
Qeveria britanike vendosi masa kufizuese në periudhat më të gabuara, duke shkaktuar me mijëra viktima nga koronavirusi.
Në prill 2022, Johnson u gjobit nga policia, duke e bërë atë kryeministrin e parë britanik në detyrë që shkelte ligjin, pasi vetë ai pranoi pjesëmarrjen në një festë ditëlindjeje, gjatë karantinës në qershor të 2020-s.
Ai është përballur gjithashtu me akuza se u përpoq të siguronte një punë në qeveri për të dashurën e tij të atëhershme Carrie Johnson (tani gruaja e tij), në kohën kur ishte sekretar i jashtëm.
Në shkurt të 2022, Johnson vendosi Pincher, anëtar i Partisë Konservatore, në pozicionin e zëvendësshefit në Dhomën e Komunave, një rol i rëndësishëm në qeveri. Por javën e kaluar, Pincher dha dorëheqjen nga ai post, pasi u përfshi në një skandal për shkak të sjelljes së pahijshme seksuale.
Edhe pse fillimisht Johnson mohoi të kishte njohuri lidhur me këto ngjarje, pas akuzave publike, ai pranoi se kishte bërë një gabim të rëndë.
Si të mos mjaftonin këto skandale, muajin e kaluar, Johnson, u përball me një mocion mosbesimi nga partia e tij, ku 40 për qind e kolegëve konservatorë votuan kundër.
Pas gjithë kësaj odiseje, ditën e djeshme, Boris Johnson dha zyrtarisht dorëheqjen pasi kabineti e konsideroi atë një udhëheqës të shkurorëzuar.