Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 17%
  • Qendrat historike 17%

Shtrenjtimi i jetesës, një familjeje i duhen të paktën 6200 lekë më shumë prej krizës

Nga A2 CNN
11 Korrik 2022, 15:10 | Ekonomi
Shtrenjtimi i jetesës, një familjeje i duhen të paktën 6200

Çdo muaj i kushton shqiptarëve të paktën 6200 lekë më shumë këtë vit, një faturë që vazhdon të rritet me çdo mall apo shërbim që shtrenjtohet. Inflacioni zyrtar është 7.4%, por në varësi të strukturës së shpenzimeve të një familjeje, ai mund të ndihet edhe më i lartë. Kjo veçanërisht për ato me të ardhura të ulëta, si familjet me pagë minimale, që pjesa dërrmuese e shpenzimeve mujore shkon për ushqime të rritura me 12.6%.

Mesatarisht, mbi llogaritjen e anketës së shpenzimeve, një familje duhet të paguajë 4300 lekë më shumë në muaj për t’u ushqyer njëlloj si një vit më parë, me vajin, bukën, qumështin, perimet dhe mishin, të shtrenjtuara deri 30%.

Por me pagat që nuk kanë ndjekur hapin e inflacionit, fatura krijon një hendek të madh midis të ardhurave dhe shpenzimeve, që detyron medoemos kursim në transport, veshje, argëtim dhe çdo kategori tjetër që nuk është prioritare.

Në fillim të krizës, qeveria akordoi një bonus prej 3 mijë lekësh për kategori si pensionistët dhe familjet me ndihmë ekonomike për të kompensuar rritjen e çmimeve. Gjatë muajit korrik, qeveria pritet të rishikojë sërish buxhetin, për të akomoduar masat shtesë, siç mund të jetë rritja e këtij bonusi për shtresat në nevojë.

Ndërkohë, pak javë më parë, parlamenti miratoi aktin normativ që qeverisë që kompenson kompanitë e kontraktuara për investime publike për çmimet e shtrenjtuara të materialeve.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani