“Inceneratorët, babëzia e shekullit”, Meta dhe PD denoncojnë falsifikimin e firmës së personave të vdekur

Publikuar më: 12/7/2022, ora 16:16

“Inceneratorët, babëzia e shekullit”, Meta dhe PD denoncojnë falsifikimin e firmës së personave të vdekur

Publikuar më: 12/7/2022, ora 16:16

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar sërish sa i përket asaj që është përkufizuar si afera e inceneratorëve, pas lajmeve të publikuara në media në lidhje me përdorimin nga kompanitë të emrit të një qytetareje që nuk jeton, duke e bërë atë pjesë të skemës së përfitimit të parave.

“Dje u zbuluan faktet për një qytetare të ndjerë, e cila është ndarë nga kjo botë, por që me emrin dhe firmën e saj janë kryer transaksione prej mbi 5-6 milionë eurosh. Kjo është ulëritëse, tronditëse”, tha Meta.

Duke nënvizuar se kjo është vetëm maja e ajsbergut, Meta sheh me shqetësim edhe mosmarrjen e përgjegjësisë nga institucionet ligjzbatuese: “Shohim që askush nuk mban përgjegjësi, prej vitesh bëhen veprime të tilla dhe bëhen bankave. Çfarë është ky system bankar me njerëz që nuk jetojnë, çfarë janë këta noterë, ku është krimi ekonomik, kush mban përgjegjësi”.

Me të njëjtin ton reagoi edhe Partia Demokratike, përmes deputetit Belind Këlliçi, që e cilësoi si makabre falsikimin e firmës së një personi që nuk jeton më: “Kjo është një histori makabre e keqpërdorimit të nderit dhe varrit të një shqiptareje. Partia Demokratike i dënon shpërdhosësit dhe hajdutët e pasurisë publike. Ata kanë emra të ndryshëm, por gjallojnë në hijen e Edi Ramës”. 

PD i bëri thirrje SPAK-ut që të vihet në lëvizje dhe të verë para drejtësisë personat përgjegjës.