Ndryshime në kodin rrugor, kufizime për drejtuesit e rinj. Propozimet e PS nuk refuzohen nga opozita

Publikuar më: 13/7/2022, ora 15:09

Ndryshime në kodin rrugor, kufizime për drejtuesit e rinj. Propozimet e PS nuk refuzohen nga opozita

Publikuar më: 13/7/2022, ora 15:09

Njësimi i legjislacionit shqiptar me atë të vendeve të Bashkimit Europian dhe rritja e sigurisë në rrugë janë mes arsyeve që socialistët thonë se i kanë nxitur për të propozuar ndryshime në kodin rrugor.

Relatori Arben Pëllumbi, njëkohësisht kryetar i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, renditi mes risive të draftit zgjatjen e afatit të lejeve të drejtimit nga 10 në 15 vjet si dhe disa kufizime për të rinjtë që sipas tij janë mes shkaktarëve kryesorë të aksidenteve. “Kemi menduar që të rinjve t’u ulet në 80 km/h dhe të ulet fuqia motorike e mjeteve që përdorin”, tha Pëllumbi.

Për miratimin e draftit duhen 84 vota të cilat mazhoranca nuk i ka e vetme. Demokratët nuk kundërshtuan risitë e propozuara, por me shqetësim shohin gjendjen e sinjalistikës rrugore dhe abuzimin me ligjin. Helidon Bushati e quajti “blozë” gjendjen e tabelave rrugore, ndërsa Xhelal Mziu tha se këto ndryshime mund të përdoren për të gjobitur më shumë qytetarët.

Skeptikë kishte edhe mes socialistëve. Propozimit për uljen e shpejtësisë nga 40 km/h në 30 km/h në qytet dhe rritjes 130 km/h në autostradë, Luljeta Bozo iu përgjigj: “Nuk kemi rrugë për të ecur me 130 km/h”.

Mes propozimeve të socialistëve bie në sy edhe rritja e limitit të moshës së përdoruesve të mjeteve nga 65 në 70 vjeç. Pas kësaj moshe leja e drejtimit duhet rinovuar çdo vit.