Maqedoni e Veriut, opozita gris propozimin francez

Publikuar më: 14/7/2022, ora 19:48

Maqedoni e Veriut, opozita gris propozimin francez

Publikuar më: 14/7/2022, ora 19:48

Seanca në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për shqyrtimin e propozimit francez për anëtarësimin në BE u ndërpre për të vijuar nesër, rreth mesditës.

Kjo për shkak të tensioneve të shumta brenda sallës. Deputetë të VMRO-DPMNE-së në opozitë penguan fjalimin e kryeministrit Dimitar Kovaçevski, duke përdorur vuvuzela. Në të njëjtën kohë, ligjvënësit e partive në pushtet u ngritën në këmbë duke duartrokitur në mbështetje të kreut të qeverisë.

Pavarësisht kakofonisë, Kovaçevski e çoi deri në fund fjalën e tij, në atë që e konsideroi një seancë historike. “Ditëve në vazhdim do të vendosim për disa baza të shtetit tonë, për një të ardhme më të mire”, u shpreh kryeministri i Maqedonisë së Veriut.

Në fillim të seancës ishte një deputete e VMRO-DPMNE-së që mori fjalën, duke grisur disa fletë që përmbanin propozimin francez për kuadrin negociues me BE-në. Opozita në Maqedoni të Veriut e kundërshton planin Macron, që zgjidh mosmarrëveshjet me Bullgarinë, me arsyetimin se nuk mbron identitetin, gjuhën dhe historinë e vendit.

Por, qeveria pohon të kundërtën dhe ka në plan ta pranojë atë. Ndërkohë, jashtë godinës së Parlamentit, qindra protestues të organizuar nga VMRO-DPMNE janë mbledhur që prej mesditës. Nuk kanë munguar dhe momentet e tensionit, me policinë që ka ndërhyrë duke ndaluar disa persona që qëllonin me sende të forta.