Zhbllokimi i eksporteve në Detin e Zi, progres në bisedimet e Stambollit, palët dakordësohen mbi një ujdi

Publikuar më: 14/7/2022, ora 11:04

Zhbllokimi i eksporteve në Detin e Zi, progres në bisedimet e Stambollit, palët dakordësohen mbi një ujdi

Publikuar më: 14/7/2022, ora 11:04

Ndërsa mundësia e një armëpushimi në Ukrainë duket ende e largët, një rreze shprese vjen për zhbllokimin e eksporteve të grurit në Detin e Zi.  Pas disa orësh bisedime në Stamboll, mes delegacioneve ushtarake të Rusisë, Ukrainës, Turqisë dhe përfaqësuesve të OKB-së, palët janë dakordësuar mbi një marrëveshje e cila pritet të firmoset në një takim të dytë, javën e ardhshme. 

“Një marrëveshje është arritur lidhur me shumë çështje teknike, përfshirë një qendër të përbashkët koordinimi që do të zhvillojë kontrolle në hyrje dhe dalje të porteve, si  dhe do të garantojë sigurinë e itinerareve që do të përshkojnë anijet me grurë apo ushqime të tjera”, tha ministri i Mbrojtjes, Hulusi Akar.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara e cilësoi progresin e shënuar në bisedime, si një hap të rëndësishëm përpara.

“Sot në Stamboll hodhëm një hap kyç për të mundësuar eksportin e sigurt të produkteve ushqimore të Ukrainës në Detin e Zi. Në një botë të errësuar nga kriza globale, sot më në fund kemi një rreze shprese. Më shumë punë teknike është e nevojshme për të materializuar progresin e sotëm, por jam i sigurt se javën e ardhshme do të kemi një marrëveshje finale”, tha Guterres.

Marrëveshja shton shpresat për një zhbllokim të ngërçit që po rrezikon me krizë urie miliona vetë. Kievi ka qenë në gjendje të eksportojë një pjesë të grurit të bllokuar përmes transportit rrugor dhe hekurudhor, dhe një itinerari i ri po hapet përmes Danubit.

Por vetëm 2.5 milionë tonë u eksportuan muajin e kaluar, shumë më pak se mesatarja prej 8 milionë tonësh përpara luftës. Flota e Rusisë në Detin e Zi thuhet se po bllokon lëvizjen e anijeve, ndërsa itinerare të tjera janë të minuara.

Por teksa komentoi nga Kievi bisedimet në Turqi, presidenti Zelenski përcolli ton optimist.

“Delegacioni ukrainas më raportoi se është shënuar progres. Gjatë ditëve në vazhdim do të dakordësohemi lidhur me detajet, bashkë me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së”, tha Zelensky.

Para se të njoftohet progresi i shënuar, diplomatët thanë se negociatat përfshinin planet që anijet ukrainase të udhëhiqnin anijet me grurë brenda në hyrje dhe dalje të ujërave të minuara. U tha gjithashtu se Rusia do të respektonte armëpushimin teksa anijet lëviznin dhe Turqia, e mbështetur nga OKB-ja, do të ofrohej të inspektonte anijet për të qetësuar frikën e Rusisë për transport armësh.