Maqedonia e Veriut nisi negociatat, BE garanton: Identiteti, gjuha dhe historia nuk ju preken

Publikuar më: 19/7/2022, ora 13:37

Maqedonia e Veriut nisi negociatat, BE garanton: Identiteti, gjuha dhe historia nuk ju preken

Publikuar më: 19/7/2022, ora 13:37

Ditë historike për Maqedoninë e Veriut. Negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian nisën zyrtarisht, me kryeministrin Dimitar Kovaçevski që konfirmoi se dera e unionit hapet pas 17 viteve pritjeje, në përputhje dhe respektim të plotë të vijave të kuqe të përcaktuara nga Parlamenti. 

“Gjuha maqedonase, jo vetëm që do të jetë e mbrojtur, por do të ketë një promovim të madh. Do të kenë mundësi ta dëgjojnë dhe identiteti ynë do të mbetet ai që është”, tha Kovaçevski.

Menjëherë u mbajt dhe konferenca e parë ndërqeveritare, një lehtësim i madh që shikohej në fytyrat e të gjithë të pranishmëve: “Maqedonia e Veriut respekton fqinjët e saj. Nuk kemi probleme territoriale me asnjë fqinj. Jam krenar që gjuha maqedonase do të jetë gjuha në të cilën do të zhvillohet procesi i negociatave për anëtarësim”.

Ndërsa Oliver Varhelyi, komisioneri për zgjerimin i BE-së, tha: “Komisioni është gati ta fillojë menjëherë procesin “screening” me Maqedoninë e Veriut, edhe atë që sonte”.

Josep Borrell, shef i politikës së jashtme së BE-së, u shpreh: “Identiteti ishte një çështje e diskutuar në ditët, muajt dhe vitet e kaluara. Në rrugën drejt Bashkimit Europian, ju nuk do të humbisni identitetin tuaj. Maqedonia e Veriut me identitetin e saj, historinë e pasur, ka qenë gjithmonë pjesë e Europës”.

Pyetjet më të vështira dhe shqetësimet i adresuan në një konferencë për shtyp.

“Mendoj se është e qartë se ndryshimet kushtetuese do të duhet të ndodhin. Ekziston një përkushtim i qartë i marrë jo vetëm nga qeveria e Maqedonisë së Veriut, por edhe nga Parlamenti”, theksoi Varhelyi.

Ndërsa Kovaçevski deklaroi: “E kemi marrë edhe vendimin final me të cilin kemi siguruar ruajtjen dhe përforcimin e identitetit maqedonas, kulturën dhe gjuhën. BE-ja na pranon si maqedonas, të cilët flasin gjuhën maqedonase”. Zyrtarët e Bashkimit Europian i bënë thirrje vazhdimisht partive të opozitës në Maqedoni të Veriut që të bashkëpunojnë në procesin tashmë të nisur të integrimit.