Sulmi kibernetik, AKSHI njofton rikthimin e disa shërbimeve online

Publikuar më: 19/7/2022, ora 11:42
sulmi kibernetik 1280x720

Sulmi kibernetik, AKSHI njofton rikthimin e disa shërbimeve online

Publikuar më: 19/7/2022, ora 11:42

Pas 96 orësh disa prej shërbimeve online të institucioneve publike janë rikthyer në funskion. Lajmin e ka bërë të ditur AKSHI, sipas të cilit, faqet zyrtare të ministrive dhe sistemi i Fiskalizimit janë rikthyer në funksion të plotë brenda 12 orësh, ndërsa po punohet për kthimin një e nga një të të gjitha shërbimeve që ofrohen në e-albania dhe rikthimin në funksionalitet të plotë të sistemeve të tjera.

Njoftim për mediat i AKSHI-t:

Kundërofensiva e AKSHI-t dhe aleatëve ndaj sulmit kibernetik po ecën me ritme të shpejta dhe në përputhje me planin e emergjencës.

Pas një pune të jashtëzakonshme, prej 96 orësh pa pushim, nga ekipi i inxhiniereve dhe ekspertëve IT të AKSHI-t, ndihmës së skuadrës së Microsoft DART (Detection and Response Team) dhe partnerëve të “Jones Group International”, po kthehemi në normalitet.

Faqet zyrtare të ministrive dhe sistemi i Fiskalizimit janë rikthyer në funksion të plotë brenda 12 orësh.

Që prej ditës së djeshme është kthyer në funksion të plotë:

–              Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit rrugor me sistemin e lejeve të drejtimit dhe sistemin e targave;

–              Drejtoria e Përgjithshme e Doganave;

–              Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor me sistemin e recetës elektronike;

–              Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore me sistemin e barnave.

Po punohet me intensitet për kthimin një e nga një të të gjitha shërbimeve që ofrohen në e-albania dhe rikthimin në funksionalitet të plotë të sistemeve të tjera.

Ndjekja e protokolleve të reagimit ndaj sulmeve kibernetike, izolimi i menjëhershëm i infrastrukturave dhe sistemeve qeveritare, që në momentet e para, bëri që sistemet qeveritare të dalin të paprekura.

Kjo rezultoi kundërpërgjigjia e duhur ndaj këtij sulmi masiv të pandodhur kurrë më parë ndaj vendit tonë.

Falenderojmë çdo qytetar, biznes, punonjës administrate, shtetas të huaj në Republikën e Shqipërisë, për durimin dhe mirëkuptimin në përballjen me këtë armik kibernetik të përbashkët.

Siguria kibernetike dhe ofrimi i shërbimeve publike online ka qenë dhe do të mbetet prioriteti ynë.