100 vite diplomaci, Roland Qafoku sjell 22 ambasadorët miq të Shqipërisë në një libër

Publikuar më: 20/7/2022, ora 19:14

100 vite diplomaci, Roland Qafoku sjell 22 ambasadorët miq të Shqipërisë në një libër

Publikuar më: 20/7/2022, ora 19:14

Ndonëse Shqipëria sot feston bisedimet me Bashkimin Europian, 100 vite më parë nisën marrëdhëniet diplomatike mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë. Dhe këtyre festimeve i shtohet edhe botimi i një libri ku përmes letrave, ditarëve por edhe dokumenteve historike rrëfehet një histori miqësie, një histori që vjen e rrëfyer nga gazetari Roland Qafoku.

Ambasadorët ndër vite, madje edhe pas mbarimit të mandatit kanë rrëfyer se në Shqipëri ka gjithnjë një histori miqësie.

“Për çdo ambasador amerikan është një nder i madh që Presidenti amerikan të kërkojë që të përfaqësojmë vendin tonë në një vend tjetër. Për ato që kanë mundur të vijnë në Shqipëri është një nderim edhe më i madh. Jo sepse Shqipëria është një vend i madh apo një vend i pasur, por sepse është një vend special. Dhe s’ka në botë si Shqipëria. Dhe miqësia që amerikanë dhe shqiptarët kanë krijuar, miqësia që ambasadorët amerikanë kanë mundur të jetojnë këtu, është e paharrueshme”, tha Yuri Kim.

“Ndoshta e kam thënë edhe më herët por para se të mbërrija këtu vizitova të gjithë ambasadorët që janë mes nesh e që kanë shërbyer në Shqipëri, mes tyre edhe ambasadorin Ryerson, i cili më dha adresën përafërsisht, por jo fiks një pikë ku mund ta gjeja përmes GPS. Më tha që duhet të ecja gati një orë larg Uashingtoni me makinë dhe do ta kuptoja vetë kur ta gjeja shtëpinë. Pashë lopë, kuaj, ferma dhe shtëpi dhe më në fund e gjeta. Si e njoha shtëpinë e tij? Edhe pse në periferi, jashtë qytetit, edhe pse ishte kthyer nga Shqipëria prej vitesh, afër flamurit amerikan fluturonte me krenari një tjetër, kuq e zi. E kuptova që zemra e tij nuk kishte ikur nga Shqipëria. Kjo miqësi sot feston 100 vite, shpresoje dhe 100 të tjera”.

Kritikat e vetme në këtë prezantim të librit i bëri Kryeministri Rama teksa lidhi zhvillimet politike dhe personazhet politikë në Shqipëri me ambasadorët amerikanë dhe punën e tyre në vendin tonë. “Të mendosh që ambasadorët amerikanë në Shqipëri bëjnë politikë personale., një ide absurde që buron sigurisht nga një provincializëm shumë i thellë, nga një bajraktarizëm shumë i rrënjosur, dhe patjetër edhe nga një ide se shqiptarët mund të tërhiqen për hunde dhe mund të ngrihen në falanga për të mbrojtur sovranitetin dhe dinjitetin duke luftuar me ambasadorët amerikanë”, tha Rama.

Për gazetarin Roland Qafoku kjo është një përpjekje 20-vjeçare për të sjellë këto histori e dëshmi në logon dhe kujdesin e shtëpisë botuese Onufri.