Certifikohet pas 3 dekadash aerodromi i Gjirokastrës

Publikuar më: 20/7/2022, ora 16:25

Certifikohet pas 3 dekadash aerodromi i Gjirokastrës

Publikuar më: 20/7/2022, ora 16:25

Pas më tepër se 30 vitesh, në aerodromin e Gjirokastrës është ulur një avion sportiv i certifikuar. I përdorur vetëm për ulje të helikopterëve në raste emergjencash, tashmë aerodromi i qytetit të gurtë do të jetë një destinacion për fluturime sportive apo turistike.

Aeroporti tashmë është certifikuar dhe regjistruar si një aerodrom sportiv. “Ia arritëm pas më shumë se 30 vitesh që të bëhej ulja e një avioni, tashmë të certifikuar, në një fushë që po e gëzon jo vetëm qyteti ynë, por gjithë rajoni i jugut”, tha Kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi. “Tashmë, qyteti ka një aset të madh”.

Aerodromi i Gjirokastrës do të përdoret tashmë për të kryer fluturime turistike apo aktivitete të ndryshme edhe nga Federate e Aeronautikës Shqiptare. “Kemi mundësi që të zgjerojmë aktivitetin tonë sportiv. Do të jetë një favor shumë i madh për ne, por edhe për qytetin do të jetë një mundësi për zhvillimin e turizmit”, tha Renis Tërshana, President i Federatës së Sporteve Ajrore.

Aeroporti i Gjirokastrës shihet si një vlerë e shtuar për të sjelle në qytetin e mbrojtur nga UNESCO edhe vizitore të pasionuar pas sporteve të ajrit.