Ukraina dhe Rusia arrijnë ujdi për “bukën e botës”

Publikuar më: 22/7/2022, ora 10:41

Ukraina dhe Rusia arrijnë ujdi për “bukën e botës”

Publikuar më: 22/7/2022, ora 10:41

Ukraina dhe Rusia arrijnë një marrëveshje të rëndësishme për mbarë botën për rikthimin e eksporteve të grurit përmes Detit të Zi. Këtë e konfirmoi Turqia, që ka udhëhequr prej muajsh negociatat e vështira mes palëve.

Ujdia mes Kievit, Moskës, Ankarasë dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, do të nënshkruhet gjatë ditës së sotme, në Stamboll.

Mungesa botërore e grurit ukrainas që nga lufta e nisur nga Rusia më 24 shkurt, ka lënë miliona njerëz në rrezik urie. Përshkallëzimi i konfliktit bëri që çmimet e ushqimeve të rriteshin, kështu që marrëveshja për zhbllokimin e porteve të Ukrainës është vendimtare. Rreth 20 milionë tonë drithë kanë ngecur në kapanone vetëm në Odesa.

Ministria e Jashtme e Ukrainës konfirmoi se një raund tjetër bisedimesh, i udhëhequr nga OKB, për të zhbllokuar eksportet e grurit, do të zhvillohet në Turqi të premten dhe se një dokument “mund të nënshkruhet”.

Por, një deputet ukrainas i afërt me bisedimet shprehu kujdes në lidhje me marrëveshjen. Diplomatët sqarojnë se në plan përfshihet që Ukraina do të udhëheqë anijet e grurit si në hyrje, ashtu edhe në dalje, përmes ujrave të porteve të minuara. Rusia pranon një armëpushim ndërsa dërgesat do të lëvizin, Turqia angazhohet si vëzhgues bashkë me Kombet e Bashkuara për të inspektuar anijet duke adresuar dyshimet e Moskës për trafik armësh.

Ujdia gjithashtu do të lehtësojë eksportet e grurit dhe fertilizuesve të Rusisë përmes Detit të Zi. Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga Turqia dhe OKB, u përshëndet dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.