Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Ndizet “feneri i shpresës”, Zelensky: Kemi 10 miliardë dollarë grurë për ta shitur

Nga A2 CNN
23 Korrik 2022, 12:49 | Bota
Ndizet “feneri i shpresës”, Zelensky: Kemi 10 miliardë

Feneri i shpresës për miliona të varfër në mbarë botën u ndez. Ukraina dhe Rusia nënshkruan marrëveshje për rikthimin e eksporteve të grurit përmes Detit të Zi, duke shënuar kështu suksesin e parë diplomatik që prej nisjes së luftës.

Pakti u firmos në Stamboll me ndërmjetësimin e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan dhe sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres. Ujdia u përshëndet menjëherë nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili premtoi sasi të mëdha gruri për të reduktuar krizën ushqimore globale.

“Rreth 20 milionë tonë grurë të të korrave të vitit të kaluar do të eksportohen. Gjithashtu do të jetë e mundur që të shesim të korrat e këtij viti dhe atë që është korrur tashmë. Këto janë të ardhura për fermerët, të gjithë sektorin bujqësor dhe buxhetin e shtetit. Janë vende pune. Këto janë fondet për sezonin e mbjelljes së vitit të ardhshëm. Për momentin ne kemi rreth 10 miliardë dollarë drithë për ta shitur”, tha Zelensky.

Ujdinë e përshëndeti edhe Rusia. “Duke pasur parasysh pjesën e konsiderueshme të produkteve bujqësore ruse dhe ukrainase në tregjet globale, garantimi i eksportit të tyre të pandërprerë përmbush detyrat urgjente të ruajtjes së sigurisë ushqimore, veçanërisht për vendet në zhvillim dhe ato më pak të zhvilluara. E gjithë kjo duhet të kontribuojë në arritjen e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm , duke përfshirë zhdukjen e urisë”, u shpreh Lavrov.

Marrëveshja, e cila u desh dy muaj për t'u arritur, do të zgjasë për 120 ditë, me një qendër koordinimi dhe monitorimi që do të krijohet në Stamboll, me staf nga zyrtarë të OKB-së, turq, rusë dhe ukrainas. Mund të rinovohet nëse të dyja palët bien dakord. Sipas planit, Ukraina do të organizojë anijet e grurit si në hyrje ashtu edhe në dalje në 3 porte të saj në Detin e Zi, Rusia pranon respektimin e armëpushimit gjatë lundrimit të anijeve të mallrave, ndërsa Turqia angazhohet si palë vëzhguese bashkë me Kombet e Bashkuara për të inspektuar anijet duke adresuar dyshimet e Moskës për trafik armësh. Ujdia gjithashtu do të lehtësojë eksportet e grurit dhe fertilizuesve të Rusisë përmes Detit të Zi.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani