Dosja e Elbasanit, në gjykim 8 policë për vrasjen para zgjedhjeve

Publikuar më: 25/7/2022, ora 15:52

Dosja e Elbasanit, në gjykim 8 policë për vrasjen para zgjedhjeve

Publikuar më: 25/7/2022, ora 15:52

Prokuroria e Elbasanit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ngjarjen e rëndë që ndodhi vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë në Elbasan, pasi u qëllua me armë nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Prokuroria ka dërguar për gjykim dosjen e Arbër Paplekës për akuzën e vrasjes dhe dy ish-zv/drejtorët e policisë, Nikollaq Pallën, Albert Nushin, të dy këta në arrest shtëpie, dhe 6 policët e forcave “Shqiponja” për shpërdorim detyre. Në deklaratën e 22 prillit, ish-kryepolici Ardi Veliu nuk pranoi përgjegjësitë e policisë, ndërsa mohoi të ishin gjetur prova për shitblerje vote.

Ndërsa gjykata shprehet se mosveprimi i trupës policore në asnjë nga momentet e kësaj situate shkon deri aty sa në vendngjarje të përdoren armë. Në vendimin e gjykatës thuhet se u gjetën 5 fletë me lista emrash dhe ID, 17 fletë formati, kopje kartash identiteti dhe pasaporta biometrike, 5 gjurmë kopjues dhe një formular patronazhi. Prokurorët e çështjes kanë pushuar akuzat për armëmbajtje pa leje, tentativë vrasje të punonjësve të policisë, vjedhje me dhunë dhe heqje e paligjshme e lirisë për Arbër Paplekajn, si dhe pushojnë akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë për të gjithë anëtarët e strukturës për mbrojtjen e votës.

Nga ngjarja e 21 prillit, të plagosur mbetën edhe katër persona të tjerë, Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota, punonjëse e policisë. Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë, duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që, sipas tij, po blinin vota.