Parashikimi i FMN: Perspektivë e zymtë për ekonominë botërore, rrezik recesioni

Publikuar më: 27/7/2022, ora 15:28

Parashikimi i FMN: Perspektivë e zymtë për ekonominë botërore, rrezik recesioni

Publikuar më: 27/7/2022, ora 15:28

Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon një ecuri të zymtë për ekonominë botërore. Në raportin e fundit, FMN-ja thekson se rritja e ekonomisë globale po ngadalësohet dhe perspektivat për një rikuperim të shpejtë janë të zymta. Rritja e ekonomisë botërore pritet të ngadalësohet nga 6.1% që ishte vitin e kaluar në 3.2% këtë vit. Ky vlerësim i ri është 0.4 për qind më ulët nga parashikimi i bërë në muajin prill. Ekonomia botërore rrezikohet nga recesion, dy vite pasi ka dalë nga ai i fundit.

Fondi konstaton se janë disa goditje që kanë tronditur ekonominë globale: si pandemia; inflacioni më i lartë se sa pritej në mbarë botën, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara dhe ekonomitë kryesore evropiane, duke shkaktuar kushte më të vështira financiare; një ngadalësim më i lartë nga sa ishte parashikuar në Kinë dhe pasoja të mëtejshme negative nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

Sipas raportit, çmimet e ushqimeve dhe energjisë po rriten në të gjithë botën dhe inflacioni i lartë pritet të zgjasë. Në ekonomitë e zhvilluara, ky tregues do të arrijë këtë vit në 6.6% dhe në 9.5% në tregjet në zhvillim dhe ato me zhvillim të shpejtë. FMN-ja vlerëson se në rast të një ndërprerjeje të furnizimit të vendeve europiane me gazin rus, atëherë inflacioni do të bëhej edhe më i vështirë për t’u ulur.

Sipas një skenari alternativ të mundshëm ndaj parashikimit tashmë të ulur, për FMN do të ishte një ekonomi botërore në të cilën rreziqet materializohen, inflacioni rritet më tej dhe rritja globale bie në rreth 2.6% këtë vit dhe 2% për qind vitin e ardhshëm.