“Pedonalja e Borshit do të ndërtohet së shpejti”, Bello: Synojmë cilësi dhe standard në turizëm, më shumë se numra  

Publikuar më: 27/7/2022, ora 21:31

“Pedonalja e Borshit do të ndërtohet së shpejti”, Bello: Synojmë cilësi dhe standard në turizëm, më shumë se numra  

Publikuar më: 27/7/2022, ora 21:31

Pedonalja e Borshit do të ndërtohet së shpejti. Lajmin e dha në A2 Business zv.ministrja e Turizmit Vilma Bello duke iu dhënë përgjigje jo vetëm qytetarëve dhe turistëve, por edhe të gjithë operatorëve turistikë që deri më tani nuk kishin marrë përgjigje nga ky institucion.

“Pedonalja e Borshit është një projekt që do të ndërtohet së shpejti, vitin tjetër do të flasim në kushte të tjera”, tha Bello në përgjigje të aktivistes Edlira Çepani, e cila tha që “ka disa vite që banorët e Borshit kërkojnë të ndërtohet pedonalja që është bërë në të gjitha plazhet e tjera dhe në Borsh mungon, pavarësisht se është një nga plazhet më të mëdha në Shqipëri”.

Kjo përgjigje e zv.ministres Bello solli edhe reagimin operatores turistike Flora Baba, e cila u shpreh se prej 5 vjetësh nuk ka marrë asnjë përgjigje nga ministria për ndërtimin e kësaj rruge.

“Ka 5 vjet që kur ka filluar festivali i jugut nuk kemi kërkuar ballë për ballë ministrit e ministres së radhës dhe shpesh nuk kemi marrë përgjigje për rrugën e Borshit. Më vjen mirë që paska një projekt që do ta bëjë Borshin me shëtitore. Në Borsh bëhet festivali që sjell 5-10 mijë turistë në maj, në një sezon që nuk ka turistë. Strategjinë duhet ta bëjë shteti, se turistët nuk i zgjedh shteti”, theksoi Baba.

Duke folur mbi situatën e turizmit këtë vit në vendin tonë, Bello e vuri theksin te rritja  e standardeve dhe cilësia e shërbimeve, më shumë se te numri i turistëve, gjë të cilën e synojnë përmes investimeve strategjike.

“Fluksi i vizitorëve në Shqipëri ka nisur që në mars. Në raport me 2021. Turizmi ka hyrë në fazë të re të konsoliduar të rritjes jo vetëm të numrave, por edhe e cilësisë e standardeve, ku ka vend për përmirësime. Pritshmëritë tona dhe të operatorëve ishin shumë të larta. Ne nuk na intereson thjesht rritja e numrit të turistëve, por më i rëndësishëm është që përpos rritjes së numrave, ajo që ne presim është rritja e standardeve dhe cilësisë së shërbimit. Ne nuk na intereson numri por rritja e cilësisë. Duhet të jemi të lidhur me strukturat e operatorët, kurse  për strukturat akomoduese nëse kishim vakum të tyre, tani ka një rritje të investimeve dhe ligji për investimet strategjike lidhet jo thjesht me numrat por edhe cilësinë”.

Lidhur me pritshmëritë e turizmit në vend, edhe operatori turistik Ferjolt Ozuni theksoi se “ka shumë më pak nga pritshmëritë minimaliste që kishim këtë vit. Vitin e kaluar mblodhëm shumë turistë”, tha ai.

Edhe operatorja turistike Flora Baba e vë theksin te strategjia e turizmit për të rritur në mënyrë urgjente cilësinë e ofertës turistike sesa numrin e turistëve.

“Shifra 6 milionë apo 7.5 mln është shifër qesharake, po ta krahasojmë me shifrën monetarë që gjeneron ky numër turistësh. Duhet të bëjmë strategji turistike për të rritur në mënyrë urgjente cilësinë e ofertës turistike sesa numrin e turistëve. Ne nuk e përcaktojmë sa turistë na vizitojnë të mos cilësojmë turistë çdo hyrje-dalje në Shqipëri. Është qesharake që 6 milionë turistë të gjenerojnë 2 miliardë euro kur duhet të ishte e kundërta. Ne nuk kemi kapacitet pritës për numrin e turistëve”.  

Sipas aktivistes Edlira Çepani Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm turistik, por problem janë politikat e turizmit. Sipas saj duhet të mbështetet biznesi familjar.

“Ajo që ka ndodhur në Shqipëri është mungesa e politikave të turizmit duke lënë për të dëshiruar në këtë pjesë. Nëse ne duhet të kishim një vizion për turizmin. Bizneset e vogla familjare janë duke luftuar me shumë pak biznese të mëdha, të cilët janë të vetmit që janë mbështetur për të investuar në turizëm dhe nuk është investuar në mënyrën e duhur. Bizneset familjare ofrojnë cilësinë e duhur por nuk mbështeten nga strukturat shtetërore”.

Për gazetaren Mirilda Tili turizmi është parë si kameradare shpëtimi për ekonominë shqiptare që do të sjellë të ardhura në buxhetin e shtetit, por ajo thekson se ministria duhet ta ketë atë fokus kryesor, për ardhjen e turistëve.

“Problemi është që nuk po i vijë turistë për herë të dytë dhe këtu duhet të jetë fokusi jo vetëm nga Ministria. Është një sektor që duhet të merret seriozisht”.

.