Qytetet dhe fshatrat e ngritur mbi shkëmbinj

Publikuar më: 27/7/2022, ora 10:21

Qytetet dhe fshatrat e ngritur mbi shkëmbinj

Publikuar më: 27/7/2022, ora 10:21

Ka shumë vende në botë ku njeriu ka zgjedhur të ndërtojë shtëpitë dhe vendbanimet e tij mbi shkëmbinj. Ndonëse, janë vende ku natyra paraqet vështirësi të mëdha, pengesat janë kapërcyer dhe në to janë ndërtuar grupe shtëpish dhe fshatra të tërë.   

Më poshtë, po rendisim dhjetë vende të tilla, që për veçantinë e tyre tërheqin edhe turistë nga e mbarë bota.

Cliff Palace, Parku Kombëtar Mesa Verde, Kolorado

Zona e disa vendbanimeve antike të vendosura brenda Parkut Kombëtar “Mesa Verde”, është një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. I ashtuquajturi “Pallati i shkëmbinjve”, (Cliff Palace), më i madhi nga këto fshatra të lashtë, është i ndërtuar brenda hapësirave shkëmbore të konsideruara banesa shkëmbore. 

Haid El-Zaid, Wadi Doan, Jemen

Haid El-Zaid është një fshat i vogël dhe i largët, i ndërtuar mbi një shkëmb mbi Wadi Dawan, në shkretëtirën e Jemenit. Disa nga ndërtesat që përbëjnë fshatin, pavarësisht se janë ndërtuar me tulla balte, arrijnë lartësi të konsiderueshme, madje deri në njëmbëdhjetë kate.  

Kostantinë, Algjeri

Një qytet i ngritur mbi shkëmbinjtë me pamje nga lumi Rhumel. Konstantinë, një vend ku forca e gravitetit duket se ndjek rregulla të ndryshme. Quhet ndryshe edhe “Qyteti i urave”, për shkak të strukturave të shumta që përshkojnë grykën duke lidhur kodrat, luginat dhe grykat e ndryshme mbi të cilat është ndërtuar.  

Leh, Ladakh, Indi

Qendra e këtij fshati në Indi, ngritur në një kreshtë shkëmbore të pjerrët, është një pallat mbretëror, i ndërtuar gjatë shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Nëntë kate i lartë, dhe nga çatia e tij mund të shijoni një panoramë të jashtëzakonshme mbi shtëpitë dhe Himalajet. Me mbi 3500 metra lartësi, Leh është një nga qendrat më të larta të banuara në botë.   

Goreme, Kapadokia, Turqi

Një qytet i bërë i famshëm nga të ashtuquajturat “oxhaqet e zanave”, formacionet shkëmbore tipike të këtij rajoni. Kjo qendër piktoreske, e banuar nga rreth 2000 njerëz, ka peizazhe të rralla, plot me zgavra e shpella natyrore dhe artificiale. Shkëmbinjtë e butë prej shtufi janë të lehtë për t’u punuar, dhe kjo u ka lejuar banorëve të ndërtojnë shtëpi dhe ndërtesa të tjera direkt në shkëmb.  

Meteora, Greqi

Një vend i famshëm në Greqinë veriore, dhe një qendër e rëndësishme e spiritualitetit ortodoks. Peizazhi karakterizohet nga shkëmbinj të thepisur dhe maja vertikale, në krye të të cilëve janë ndërtuar njëzet e katër manastire të vogla. Sot duket e pamundur mënyra sesi ndërtuesit i kanë transportuar materialet e nevojshme për ndërtim në atë lartësi. Aktualisht, vetëm gjashtë prej manastireve janë ende të banuara.   

Setenil De Las Bodegas, Cadiz, Spanjë

Emri i fshatit rrjedh nga shprehja latine “septem nihil”, që do të thotë “shtatë herë jo”. Rreth 3000 njerëz jetojnë në këtë fshat të vogël andaluzian të ngritur në grykat e një shkëmbi. Një pjesë e fshatit ngrihet në majë të malit, si shumë nga Pueblos Blancos (Fshatrat e Bardhë) të Andaluzisë, ndërsa pjesa tjetër është gdhendur në shkëmb, kompletuar me tunele kalimi dhe hapësira të vogla të hapura. 

Matera, Bazilikata

Një qytet i tërë i ndërtuar duke gërmuar në malin e shtufit, Sassi. I përfshirë në vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Matera përfaqëson një nga zonat më të vjetra të banimit në botë. Dikur banesat e ndërtuara në këtë vend konsideroheshin si “turpi i Italisë” për kushtet e këqija në të cilat jetonin vendasit, por sot shihen me një këndvështrim tjetër dhe janë një mrekulli e vërtetë. 

Rocamoudur, Francë

Këtu gjithçka duket se ngjitet pas gurit gëlqeror: shtëpitë, kishëzat dhe çdo ndërtesë tjetër e ngritur mbi kanionin e gdhendur nga lumi Alzou. Rruga e vetme në qytet fillon nga portat e gurta rrëzë qytetit, që vazhdon me 216 shkallë të cilat të çojnë në sheshin e vogël të qytezës.

Ronda, Andaluzi, Spanjë

E ngritur në një shkëmb të përshkuar nga gryka El Tajo, e përshkruar nga një urë e lartë, Ronda është një nga qytetet më karakteristike të Andaluzisë. Me pamje nga një ujëvare marramendëse, që arrin në një lartësi prej 120 metrash, ky vend është shndërruar në një atraksion turistik.