“Imazhe mode mes luftës”, polemika ndaj Zonjës së Parë ukrainase

Publikuar më: 28/7/2022, ora 15:51

“Imazhe mode mes luftës”, polemika ndaj Zonjës së Parë ukrainase

Publikuar më: 28/7/2022, ora 15:51

“Portreti i trimërisë” i Zonjës së Parë ukrainase po shoqërohet me polemika. “Fotografi mode në kohë luftë, ide tepër e keqe”, është një ndër komentet e shumta kritikuese ndaj Olena Zelenska, e cila pozoi për kopertinën e revistës së njohur Vogue.

Politologu dhe autori i disa librave, Ian Bremmer, tha se zgjedhja e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe e bashkëshortes Olena, për imazhet e publikuara ishte “një ide tepër e keqe”. Për shumë, vendimi i çiftit presidencial shikohet si një hap fals nga ana e Kievit në betejën e gjatë dhe triumfuese deri më tani, të informacionit, që ka shoqëruar luftën e Rusisë në Ukrainë.

Disa të tjerë kritikat i drejtojnë kryesisht nga Olena Zelenska, duke theksuar se ka dalë tepër e kuruar mes rrënojave, dy realitete që stonojnë shumë me njëra-tjetrën. Revista Vogue ka publikuar në total 4 imazhe, të përjetësuara nga fotografja me famë botërore, An Libowitz, dhe një shkrim të gjatë me përjetimet e këtyre muajve të luftës dhe sfidat që has çdo ditë çifti presidencial.

Në kopertinë, Zonja e Parë ukrainase shfaqet e ulur brenda zyrës presidenciale e veshur me pantallona të zeza me një këmishë të bardhë, pas saj qëndrojnë disa thasë rëre dhe një ushtar. Në një imazh tjetër, Olena është përjetësuar mes rrënojave të vendit e shoqëruar nga disa gra ushtare në Kiev. Nuk mund të mungonin edhe fotografit në çift, në njërën prej tyre Volodymyr Zelensky e përqafon fort nga pas Olenën, ndërsa në tjetrën i shtrëngon dorën. Ndërkohë, nuk kanë munguar as montazhet humoristike në rrjet, me disa prej tyre që shfaqin Volodymyrin dhe Olenën në një tavolinë plot me dollarë, dhe një tjetër me presidentin amerikan të pranishëm.