“Kurrë më!” Papa Françesku kërkon të shërojë plagët e kishës në Kanada

Publikuar më: 29/7/2022, ora 10:23

“Kurrë më!” Papa Françesku kërkon të shërojë plagët e kishës në Kanada

Publikuar më: 29/7/2022, ora 10:23

“Kurrë më!”. Ishte ky zotimi i Papa Françesku për rolin e Kishës në skandalin me shkollat rezidenciale të mbështetura nga qeveria në Kanada, ku u abuzuan mijëra fëmijë indigjenë. Në ditën e parafundit të turit të pendesës në Kanada, ati i shenjtë mbajti dhe një meshë në Kishën Notre Dame të Kebekut.

“Kisha në Kanada, pasi u plagos dhe u shkatërrua nga e keqja e kryer nga disa prej fëmijëve të saj, ka nisur një rrugë të re. Unë po mendoj në veçanti për abuzimin seksual të kryer ndaj të miturve dhe njerëzve vulnerabël. Krime që kërkojnë veprime të forta dhe luftë të pakthyeshme. Dëshiroj që së bashku me ju t’u kërkoj edhe një herë falje të gjitha viktimave. Dhimbja dhe turpi që përjetuam duhet të jenë një rast për ndryshim. Kurrë më diçka të tillë!”, tha Papa.

Një komision kombëtar kanadez, skandalin e konsideron të ishte një gjenocid kulturor, pasi të paktën 150 mijë fëmijë indigjen janë ndarë nga familjet e tyre dhe janë detyruar të shkojnë në institucione edukimi, ku u hasën me abuzim seksual dhe emocional nga priftërinjtë, murgeshat dhe stafi i shkollave. Këtij makabriteti i shtohet edhe fakti që dhjetëra komunitete indigjene po kërkojnë në terrenin përreth këtyre institucioneve, ku besohet se shumë varre të pashënuara janë identifikuar.