Rusia bombardon Kievin, Ukraina synon të marrë jugun

Publikuar më: 29/7/2022, ora 10:10

Rusia bombardon Kievin, Ukraina synon të marrë jugun

Publikuar më: 29/7/2022, ora 10:10

Rusia rikthen bombardimet vdekjeprurëse në Ukrainë. Shënjestra kryesore ishte Kievi, rajon mbi të cilin ra një shi raketash. 8 persona kanë humbur jetën dhe 26 të tjerë raportohen të plagosur në dy zona të ndryshme, në qendër të rajonit kryeqytetas, në lindje dhe jug të tij. E gjithë kjo ndodhi pasi Kievi njoftoi synimet dhe planin konkret për të rimarrë kontrollin e rajonit jugor Kherson. Aty raportohen 7 viktima nga një sulm i forcave ruse në orët e fundit.

Në Kharkiv është goditur një kompleks banimi dhe një universitet. Situata në terren sa vjen e vështirësohet për ushtrinë e Vladimir Putin, saqë ata po detyrohet të përdorin dredhi për të avancuar në terren. Kievi raporton se trupat ruse kanë përdorur uniforma të forcave ukrainase me fasha të bardha në krahë dhe këmbë gjatë një tentative sulmi në zonën e Piskivit në Ukrainën verilindore.

Ndërkohë, Senati amerikan aprovoi në mënyrë unanime një rezolutë, me të cilën i kërkojnë sekretarit të shtetit, Antony Blinken, të përcaktojë Rusinë si një vend që sponsorizon terrorizmin, për veprimet e saj në Çeçeni, Gjeorgji, Siri dhe Ukrainë. Veprime që rezultuan në vdekjen e mijëra burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm.

Një masë e ngjashme u prezantua në Dhomën e Përfaqësuesve. Ndonëse nuk është detyruese, rezoluta rrit presionin mbi administratën e Bidenit për të përfshirë Rusinë në listën e vendeve sponsorizuese të terrorizmit, e cila përfshin Kubën, Korenë e Veriut, Iranin dhe Sirinë.