18 milionë euro për një javë drita. Çmimet e larta stepin KESH-in, nuk siguron sasinë e kërkuar

Publikuar më: 31/7/2022, ora 13:20

18 milionë euro për një javë drita. Çmimet e larta stepin KESH-in, nuk siguron sasinë e kërkuar

Publikuar më: 31/7/2022, ora 13:20

Çmimet e larta të energjisë elektrike në bursa po vështirësojnë operacionet e blerjes nga ana e KESH-it, për të plotësuar nevojat e vendit. 

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka dalë deri më tani dy herë në ankand për të siguruar funizimin me energji për muajin gusht, por të dyja herët nuk ka arritur të sigurojë sasinë e kërkuar. Shkak janë çmimet e ofruara që tejkalojnë 500 euro për një megavat/orë.

Në ankandin e së premtes, KESH kërkoi në total për muajin gusht 182.4 GWh energji elektrike, e barabartë me 8 ditë konsum, ku pjesa tjetër do të kompensohej me prodhimin nga hidrocentralet publike. Por, çmimet marramendëse e shtynë të pranojë vetëm 28.5 GWh, për 521,7 euro për megavat/orë, për një faturë prej 14,9 milionë eurosh, vetëm për javën e parë të gushtit.

Një ditë më pas, KESH hapi një ankand tjetër për të siguruar pjesën tjetër të energjisë për javën, me sasi të kërkuar prej 16,8 gigavat/orësh. Ofertat e kripura e shtynë sërish të pranojë vetëm 6,7 gigavat/orë, me vlerë mesatare prej 464,57 eurosh për megavat, dhe një faturë prej 3,1 milionë eurosh.

Duke blerë në total vetëm një pjesë të energjisë së nevojshme, KESH do t’i drejtohet ankandeve të tjera përgjatë javës, duke shpresuar edhe në një rënie të çmimeve në bursat ndërkombëtare.

Qeveria i akordoi kompanisë publike të energjisë 160 milionë euro fonde për të përballuar blerjet për fundin e korrikut dhe muajt gusht e shtator. Ndërkohë, rezerva në kaskadën e Drinit është nën mesataren shumëvjeçare dhe po përdoret për të kompensuar pikërisht mungesat në furnizim.