Situata në veri të Kosovës, Meta akuza Ramës: Mos bëj avokatin e Serbisë në Tiranë

Publikuar më: 1/8/2022, ora 14:00

Situata në veri të Kosovës, Meta akuza Ramës: Mos bëj avokatin e Serbisë në Tiranë

Publikuar më: 1/8/2022, ora 14:00

Situata e krijuar mbrëmjen e djeshme në veri të Kosovës është një tensionim artificial me urdhër të Beogradit. Kështu e ka konsideruar kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, situatën në Kosovë. Në një deklaratë për mediat, Meta akuzoi Serbinë se sa herë gjendet në pozita jo të favorshme dhe i duhet të pranojë marrëveshjet që vetë ka firmosur në Bruksel, përdor grupe kriminale në veri për të destabilizuar Kosovën dhe rajonin.

Meta theksoi se tani është koha që Serbia të vërë sanksione ndaj Rusisë dhe jo të vendosë bllokada se duhet të përmbushë detyrimet edhe ndaj BE-së.

Ai i bëri thirrje Ramës që të mos bëjë avokatin e Serbisë në Tiranë.

“Është e qartë që Serbia dhe Kosova kanë firmosur një marrëveshje dhe se Serbia do t’i shmanget marrëveshjeve për të cilat është e detyruar t’i zbatojë se i ka firmosur në Bruksel. Synon të krijojë një situatë jashtë kontrollit në Veri, ose në kontroll të krimit të organizuar që e riaktivizon gjithmonë në mbështetje të destabilizimit. Nëse e ka thënë ky se e qetëson Ballkani i Hapur situatën, se çfarë synon Ballkani i Hapur e ka thënë ish-kryeministri i Malit të Zi, i angazhuar për stabilitetin e rajonit. Tani është koha që Serbia të vërë sanksione ndaj Rusisë dhe jo të vendosë bllokada se duhet të përmbushë detyrimet edhe ndaj BE-së. Kjo është një sjellje destruktive, destabilizuese e papërsëritur. Kjo sjellje nuk mund të ketë avokat asgjëkundi, e jo të ketë avokat në mes të Tiranës. Çdo marrëdhënie partneriteti është e pranueshme, por jo vasaliteti. Serbia edhe me Shqipërinë çon përpara vetëm marrëveshje që janë në interes të saj”, tha ai.

Meta i bëri apel edhe qeverisë shqiptare që të pozicionohet qartë në krah të Kosovës dhe të drejtës së saj.

“Qeveria e Shqipërisë dhe Kryeministri i saj, nuk duhet të bëjnë lojën e strucit nga halli se i mbetet qejfi shefit të “Ballkanit të Hapur”, por të pozicionohet qartë në krah të Kosovës dhe të drejtës së saj. Siç e pamë qartë dje, Serbia mbylli kufijtë, kryeministri mbyll gojën”.

Sipas Metës, “procesi i Berlinit dhe integrimet euro-atlantike, janë e vetmja rrugë e drejtë dhe e sigurt për të gjithë rajonin”.