Jarinja e Bërnjaku vazhdojnë të jenë të bllokuara, në Merdare vijon reciprociteti për letërnjoftime

Publikuar më: 1/8/2022, ora 08:16
jarinje 1 1280x720

Jarinja e Bërnjaku vazhdojnë të jenë të bllokuara, në Merdare vijon reciprociteti për letërnjoftime

Publikuar më: 1/8/2022, ora 08:16

Rrugët që të çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, vazhdojnë të jenë të bllokuara me barrikadat e vendosura nga serbët lokalë.

Kjo është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti.

Sipas tij, gjendja nuk ka ndryshuar. “Gjendja nuk ka ndryshuar. Situata është e qetë, nuk ka ndodhur asgjë. Barrikadat janë ende prezentë aty, por të shohim sot gjatë ditës se çfarë do të ndodhë pas vendimit që është marrë”, tha Hoti për REL-in.

Aktualisht, në Mitrovicën e Veriut, sipas gazetarëve në terren, situata është e qetë. Por, në rrugët e këtij qyteti janë parë mesazhe ku shkruhet: “Mirë se vini në Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

Ndërkohë KosovaPress raporton se reciprociteti për letërnjoftime me Serbinë po vazhdon edhe në orët e para të mëngjesit. Në pikën kufitare në Merdare po lëshohen fletëdeklarimet për të gjithë shtetasit serbë që po hynë në Kosovë.

Zyrtarë policorë në këtë pikë kufitare thanë për KosovaPress se deri sa të ketë një vendimmarrje politike, të njëjtit do të vazhdojnë t’i pajisin shtetasit serbë me fletëdeklarime për hyrje-dalje në territorin e Kosovës.

Aktualisht, në këtë pikë kufitare ka kolona të gjata veturash si në dalje, po ashtu edhe në hyrje të Kosovës, kryesisht mërgimtarë.

Serbët lokalë më 31 korrik vendosën në rrugë kamionë dhe mjete të tjera të rënda për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Pas kësaj, Qeveria u zotua se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për një muaj, nëse serbët largojnë barrikadat e vendosura, ndërkaq në mesnatë janë lëshuar dokumentet e para për hyrje-dalje.