Kurti: Nuk lejojmë që bandat e Beogradit të destabilizojnë Kosovën

Publikuar më: 1/8/2022, ora 13:59
kurti 1280x720

Kurti: Nuk lejojmë që bandat e Beogradit të destabilizojnë Kosovën

Publikuar më: 1/8/2022, ora 13:59

“Nuk do të lejojmë që bandat kriminale të financuara nga Beogradi të destabilizojnë vendin”. Kështu u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin e Brendshëm, Xhelal Zvelça, lidhur me situtatën në veri të Kosovës.

Kurti tha se 9 barrikada ishin vendosur gjithsej në rrugët që çojnë drejt pikave kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut, por se gjatë ditës së hënë kishte filluar tërheqja e tyre. Sipas kryeministrit, dokumentet për hyrje-daljet e shtetasve serbë që hyjnë në Kosovë po lëshoheshin në pikat e tjera kufitare, por ai përsëriti zotimin për shtyrje me 30 ditë të vendimit për reciprocitet, kur të hiqej barrikada e fundit dhe lëvizja e lirë të rikthehej.

Ndërsa hodhi poshtë pretendimet për të plagosur me armë zjarri, ministri i Brendshëm sqaroi se 11 qytetarë të Kosovës, kishin marrë lëndime të tjera mbrëmjen së dielës dhe se kanë nisur hetimet ndaj atyre që kanë kryer veprime kriminale të strukturave të armatosura ilegale: “11 qytetarë të lënduar, janë dëmtuar disa vetura të qytetarëve dhe Policisë së Kosovës nga struktura kriminale ilegale të armatosura. Kemi nisur hetimet. Disa barrikada janë larguar dhe një pjesë e barrikadave të tjera ka filluar të largohet”.

Kurti bëri përgjegjës për situtatën në veri fushatën dezinformuese të Beogradit ndaj vendimeve të qeverisë për lëshimin e dokumenteve 90-ditore për qytetarët serbë që hyjnë në Kosovë dhe regjistrimin me targat e Republikës së Kosovës për automjetet që kanë ato të lëshuara nga Serbia.

Lidhur me raportimet se shefi i diplomacisë së BE-së, Josef Borrell, kishte ftuar në një takim Kurtin dhe Vuçiçin në Bruksel, shefi i ekzekutivit të Kosovës u shpreh: “Me presidentin serb duhej të takoheshim në 19 korrik. Ai kërkoi të shtyhej në fund të muajit gusht. Mbase ka qenë i zënë me përgatitjet e asaj që ndodhi dje. Unë kam shprehur gatishmërinë që kur të na thërrasë Borrell, do të shkojë në Bruksel. Një ftesë të tillë për momentin nuk e kemi dhe do të bëjmë të ditur qëndrimin tonë. Jemi për një dialog të mirë parimor, të përqendruar në njohjen reciproke. Dialog për marrëveshje dhe jo dialog për dialog”.

Vendimet për reciprocitetin do të hynin në fuqi më 1 gusht, por mbrëmjen e së hënës qytetarët serbë bllokuan rrugët që çojnë në pikat kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut, ndërsa pati raportime edhe për të shtëna. Tensionet në veri detyruan ambasadorin amerikan në Prishtinë dhe përfaqësuesin e BE-së, Josef Borrell, të kërkonin shtyrjen e zbatimit të vendimit me 30 ditë.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti në veri të Kosovës.